Qeveria e Kurtit mund të ketë vetëm 7 këshilltarë më pak se ajo e Haradinajt
Vetëm shtatë këshilltarë më pak sesa kabineti i Ramush Haradinajt mund të ketë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
Ekzekutivi i udhëhequr nga Ramush Haradinaj, e i cili në total kishte 5 zv.kryeministra e 21 ministra, ka pasur gjithsej 206 këshilltarë.
Kurse ai i udhëhequr nga Albin Kurti, me 3 zv.kryeministra e 6 ministri më pak se e Haradinajt, mund të emërojë deri në 199 këshilltarë.
Kryeministri Ramush Haradinaj – 35 këshilltarë
5 Zv.kryeministrat e Haradinajt – 45 këshilltarë
21 Ministrat – 126 këshilltarë
GJITHSEJ 206 këshilltarë
Kryeministri Albin Kurti – 34 këshilltarë
2 Zv.kryeministrat e Kurtit – 30 këshilltarë
15 ministrat – 135 këshilltarë
GJITHSEJ 199 këshilltarë
E gjithë kjo edhe pas premtimeve të kryeministrit Kurti për zvogëlimin e stafit të Ekzekutivit, e kritikave të shumta drejtuar Haradinajt për numër të madh të këshilltarëve, raporton KTV.
Zvogëlimi i numrit të ministrive, nga 21 sa ishin në 15, bëri që kabineti nën drejtimin e Albin Kurtit të ndryshojë rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe ministrive.
Por në bazë të saj, numri i këshilltarëve edhe në Qeverinë Kurti mbetet pothuajse i pandryshuar.
Rregullorja e shfuqizuar nga Qeveria e Kurtit parashihte që kryeministri mund të emërojë deri në 15 këshilltarë politikë, duke shtuar këtu edhe nëntë të tjerë nga radhët e komuniteteve, përfshirë atë malazez dhe kroat, që zyrtarisht nuk njihen si komunitete.
Mirëpo, edhe me rregulloren e re Kurti mund të emërojë po aq këshilltarë sa kishte Haradinaj.
Dy zëvendësit e Kurtit, Avdullah Hoti e Haki Abazi, mund të emërojnë deri në dhjetë këshilltarë politikë, dhe 5 këshilltarë të tjerë të jashtëm.
Kurse 15 ministrat e kabinetit të udhëhequr nga Kurti mund të kenë deri në 6 këshilltarë politikë dhe 3 te tjerë të jashtëm.
Mosndryshimi i numrit të këshilltarëve politikë në rregulloren e re është kritikuar edhe nga shoqëria civile.
Në anën tjetër, Kurti ka mohuar se vartësit e tij do të kenë numrin e këshilltarëve të përcaktuar në rregullore.