Qeveria e Kosovës mund t’i hakmerret “Bechtel&Enkas”
Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, që lidh Kosovën me Maqedoninë, e cila kap shumën e rreth 600 milionë eurove, ka filluar të ndërtohet në korrik të vitit 2014, dhe sipas kontratës duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2018.
Mirëpo, deri më tash ky projekt nuk ka përfunduar dhe gjasat janë që të vazhdohet edhe në vitin tjetër, shkruan FaktePlus.
Në qershor, Qeveria mori vendim që t’i paguajë kompanisë “Bechtel&Enka” 53 milionë euro shtesë për autostradën. Konsorciumi turko amerikan “Bechtel& Enka”, kishte kërkuar mjete shtesë për shkak të dështimit të, siç është potencuar, Qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat.
Por, tani Ministria e Infrastrukturës kërcënon “Bechtel&Enkan” se mund të dënohet nëse nuk kryhen punët.
Ministria e ka lënë mundësinë e hapur dhe mund ta penalizojë kompaninë “Bechtel&Enka” në rast të mos kryerjes me kohë të punimeve. Sipas Ministrisë, punimet parashihen të kryhen në fund të këtij viti, por mund të ketë vonesa nga kushtet atmosferike.
“Sipas kontratës punimet parashihen të kryhen në fund të këtij viti. Varet nga kushtet atmosferike a do të lejojnë të kryhen punët sipas planit dinamik. Megjithatë, në çdo marrëveshje a kontratë ka veprime reciproke, kështu që edhe ne do të veprojmë konform situatës që do të na paraqitet”, ka bërë të ditur për FaktePlus zyra për informim e Ministrisë së Infrastrukturës.
Ndërkohë, ende nuk ka një datë të saktë se kur do të paguhen mjetet e zotuara të ministrisë për “Bechtel&Enkan” .
Por, sipas zyrës për informim të Ministrisë së Infrastrukturës pagesa do të bëhet më së largu deri në qershor të vitit 2019 dhe se nuk ka rrezik prej ndonjë penalltie në të ardhmen sa i përket këtij projekti.
“Pagesat e zgjatjes se kontratës do të përfundojnë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Me aneks kontratën e nënshkruar i kemi mbyllur të gjitha çështjet sa i përket mundësisë së penalltive në të ardhmen. Pra, ne e kemi siguruar që të mos rrezikohet buxheti i shtetit prej ndonjë penalltie në të ardhmen sa i përket këtij projekti”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim për FaktePlus.
Kontrata në mes kompanisë ndërtuese dhe Qeverisë së Kosovës asnjëherë nuk është bërë publike për opinionin./M.B -FaktePlus