Qeveria e Kosovës dërgon përsëri ushqim në veri të vendit
Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë edhe sot ka vazhduar me vendosjen e pikave për shitjen e gjërave esenciale ushqimore në veri të Mitrovicës.
MTI gjatë ditës së sotme ka dërguar ushqim në tri vende të pjesës veriore, Leposaviç, Zubin Potok dhe në Lagjen e Boshnjakëve. Krejt ky dërgim i mallrave esenciale po vjen si pasoj e planit të ‘katastrofës’ humanitare të inskenuar nga Qeveria e Serbisë në Mitrovicë.
Vazhdimin e dërgimit të mallrave esenciale në veri, për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, duke thënë se shpërndarja e mallit në pikat e destinuara ka shkuar pa probleme.
Nga zyra për media kanë pohuar se MTI-ja do të shpërndaj ushqim atje ku është e nevojshme ani pse sipas tyre krizë në pjesën veriore nuk ka.
“Gjatë ditës së sotme janë vendosur tri pika lëvizëse me mallra në veri të vendit. Këto mallra janë vendosur në Leposaviç, Zubin Potok dhe në lagjen e boshnjakëve. Deri më tani nuk kemi hasur në ndonjë problem apo rezistencë, pikat shitëse janë të hapura me ushqime esenciale për të gjithë të interesuarit. Theksojmë se krizë në veri të vendit nuk ka, sepse atje janë mbyllur me qëllim të gjitha dyqanet, por që ne do të jemi në gjithë veriun atje ku është nevoja”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga zyra për media.
Nga dita e djeshme, në pjesën veriore janë mbyllur të gjitha dyqanet me pretekstin se nuk mund të importojnë mallra nga Serbia si pasojë e taksës, duke inskenuar kështu krizën humanitare.
Ndërsa, në anën tjetër, analisti politik, Nexhmedin Spahiu, është shprehur se banorët në veri të vendit ndihen të rrezikuar pasi që dhunshëm janë mbyllur dyqanet atje. Ai për FaktePlus thotë se Serbia po kërcënon serbët e Mitrovicës që të mos blejnë mallra nga shqiptarët.
“E gjithë kjo është një lojë nervash e dy qeverive. Qëllimi i Serbisë është që të mposhtet Kosova dhe kështu duke krijuar një krizë të rrejshme. Me këtë Serbia po tenton me tregu se e ka në dorë situatën në veri të vendit dhe se dëshiron me bë atë që ka pas dëshiroj ta bëjë gjithnjë për ta destabilizuar vendin. Nuk është e vërtetë se atje ka krizë humanitare sepse mallra atje ka. Ata mund të dalin edhe pjesën jugore të qytetit me ble ushqim por ata janë të kërcënuar që mos të dalin në jug me ble. Dje qytetarët janë frikësuar dhe kanë zbatuar planin e Serbisë që mos me dal në pjesën tjetër me ble”, është shprehur Spahiu.
Ai ndër të tjera thotë se planet e dy qeverive janë vetëm një zbatim politikash.
“Thjesht e gjithë kjo është zbatim i planit të dy qeverive, pra më tepër është një plan politikësh e qeverisë të cilët nuk dëshirojnë të lejojnë atë që mendojnë serbët. Banorët atje janë të kërcënuar që mos me ble mallra nga shqiptarët”, është shprehur tutje ai.
Krerët e institucioneve të Kosovës kanë mohuar se në atë pjesë të vendit fjalë për krizë humanitare, porse kjo është vetëm një inskenim i Beogradit për t’i bërë presion Prishtinës që ta heq taksën. /FaktePlus