Qeveria dhe Komuna me deklarata të ndryshme për pronat në kompleksin e ri qeveritar
Një hapësirë prej 280 hektarësh në lagjen “Prishtina e Re” të kryeqytetit pritet të ndahet për objektet e reja të qeverisë, në të cilat synon të zhvendoset.
Për këtë qëllim, në mbledhjen e së martës të ekzekutivit është miratuar memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Zyrës së Kryeministrit dhe Komunës së Prishtinës për realizimin e përbashkët të këtij projekti, raporton KTV.
Përmes memorandumit, që ende nuk është nënshkruar, palët janë dakorduar të themelojnë komisionet përkatëse për projektimin dhe dizajnimin e projektit.
Por, palët kanë dhënë deklarime të kundërta sa i përket kësaj hapësire. Qeveria ka thënë se hapësira në fjalë është pronë publike.
Por, ndryshe nga qeveria shprehet kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Sipas tij, për realizimin e projektit do të nevojiten shpronësime, pasi thotë se do të preken edhe pronat private të qytetarëve.
Ahmeti thotë se memorandumi ka ardhur si nevojë, pasi qeveria e kishte shpallur këtë hapësirë si zonë me interes të veçantë, sipas tij, pa bashkëpunuar me komunën.
Qeveria ka thënë se detaje të tjera rreth këtij projekti do të bëhen të ditura pas disa ditësh, kur pritet që memorandumi të nënshkruhet.