Qentë rrezikojnë jetën e qytetarëve, Qeveria sivjet nuk ndau mjete për trajtimin e tyre
Rreth tri javë më parë, më saktësisht më 9 shkurt të këtij viti një fëmijë vetëm 8 vjeç nga Vushtrria mbeti i lënduar rëndë për shkak të kafshimit nga qen endacakë. E raste të tilla kanë ndodhur herë pas here githandej Kosovës. Madje disa vite më parë një fëmijë 7 vjeç pati vdekur nga kafshimi i qenve endacakë.
Përkundër faktit se numri i madh i qenve endacakë në rrugët e qyteteve dhe fshatrave të Kosovës vazhdon të jetë problem e rrezik serioz për qytetarët, sivjet, së paku deri më tani Qeveria e Kosovës duket të mos ketë ndonjë plan për trajtimin ose largimin nga rruga të qenve.
Mungesën e mbështetjes financiare të një plani strategjik për këtë vit e kanë konfirmuar edhe nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit (AUV), e cila qysh vitin e kaluar është ngarkuar me përgjegjësi për zgjidhje të këtij problemi.
Në një përgjigje për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zyrtarë të këtij institucioni pohojnë se e kanë të gatshëm planin për sajimin e qenve endacakë, por se Qeveria e Kosovës duhet të jetë ajo e cila do të duhej ta ndajë buxhetin për një projekt të tillë.
“Në momentin që Qeveria ndan buxhetin për përkrahje ne do ta nisim punën për zbatimin e tij dhe do t’i përfshijmë të gjithë komunat në nivel vendi. Tani që i kemi të gjitha të dhënat jemi shumë të përgatitur që me efikasitet më të lartë të përmbyllim një cikël të trajtimit të duhur të problematikës së qenve endacakë”, thuhet në përgjigje.
Sipas AUV-it, sikurse vitin e kaluar edhe sivjet synohet të implementohet projekti i njëjtë.
Në fakt plani i hartuar është vazhdimësi e projektit “Menaxhimi dhe kontrolli i qenve endacakë”, i cili është zhvilluar gjatë vitit 2018 në mbarë territorin Republikës së Kosovës.
Nga AUV tregohet se vitin e kaluar kanë arritur që të trajtojnë rreth 14 000 mijë qen, ndaj të cilët janë kryer të gjitha shërbimet mjekësore bazuar në ligjet në fuqi.
“Kanë qenë të angazhuar 90 për qind e veterinareve lokalë të licencuar të cilët kanë kryer punë profesionale. Projekti është zhvilluare me sukses dhe ka nxjerrë rezultate të mira. Projekti ka qenë si punë emergjente, në pamundësi të kryhet puna nga komunat. Qeveria ka ndarë buxhetin dhe na ka obliguar neve si autoritet për realizimin në teren të këtij projekti si fazë emergjente”, thuhet në përgjigje të AUV-it.
Sipas zyrtarëve të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit (AUV) gjatë zhvillimit të projektit është parë nevoja ose janë identifikuar disa fusha të cilat duhet të rregullohen me një projekt të ri.
“Të gjitha këto ide janë formësuar në një projekt, i cili është paraqitur tek Qeveria me arsyeshmërinë e vazhdimit të projektit të vitit paraprak me disa plotësim ndryshime të cilat janë identifikuar si të nevojshme për zbatim. Në Kosovë llogaritet që kanë mbetur dhe një numër i madh i qeneve të patrajtuar të cilët deri në fund të këtij viti mund të duplifikohen. Andaj ne kemi paraparë qe projekti është shumë i nevojshëm të vazhdojë edhe këtë vit”, thuhet në përgjigjen e AUV dhënë për FaktePlus.
Numri i madh i qenve endacakë në rrugët e qyteteve e fshatrave të Kosovës shumë herë ka paraqitur problem për qytetarët, pasi në mjaft raste ka pasur persona që kanë përfunduar të kafshuar nga qentë, e në disa raste edhe kanë humbur jetën.
Të dhënët tregojnë se vetëm në javët e para të vitit 2019 qentë endacakë kanë shkaktuar mbi 50 sulme ndaj qytetarëve të moshave të ndryshme. Bazuar në rastet e ndodhura ata që kanë pësuar më së shumti janë fëmijët që janë sulmuar gjatë vajtje-ardhjeve nga shkolla.
Rasti i fundit ndodhi para rreth dy jave, më saktësisht më 9 shkurt të këtij viti, ku një fëmijë vetëm 8 vjeç nga Vushtrria mbeti i lënduar rëndë për shkak të kafshimit nga qen endacakë.
Familjarë të fëmijës kanë treguar disa fotografi, me të cilat shihet se lëndimet e djalit tetë vjeç ishin mjaft serioze, por që fatmirësisht ka shpëtuar i gjallë.
Kujtojmë se vite më parë një fëmijë 7 vjeç pati vdekur nga kafshimi i qenve endacakë në Fushë Kosovë./A.B-FaktePlus