Qëndrim i ri i diplomacisë shqiptare ndaj marrëveshjes Kosovë-Serbi?
Presidenti Meta dekretoi të premten (18.01.2019) kryeministrin, Edi Rama në postin e Ministrit të Jashtëm. Dekretimi vjen 4 ditë pas propozimit të kryeministrit Rama për të qënë ai Ministër i Jashtëm dhe bëhet pa konsumuar afatin prej 7 ditësh që Kushtetuta i jep Presidentit në raste dekretimesh të anëtarëve të qeverisë. Në një njoftim të Presidencës theksohet se citoj” emërimi i Kryeministrit edhe në postin e Ministrit të Jashtëm është një rast i veҫantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.
Jo thellimit të krizës institucionale
Të tjera konsiderata kanë fituar ndaj “rastit të veҫantë dhe të paparashikuar” në Kushtetutë. Në njoftimin për shtyp të Presidencës theksohet se “kreu i shtetit merr në konsideratë që struktura e kabinetit qeverisës është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar”. Por krahas kësaj të drejte ka edhe një arsye tjetër madhore: evitimi i thellimit të krizës institucionale Presidencë-Kryeministri dhe dalja e diplomacisë nga ngërҫi që “do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare” vë në dukje njoftimi. Me dekret të Presidentit Meta është shkarkuar edhe Ditmir Bushati, nga detyra e ministrit të Jashtëm.
Cili do të jetë qëndrimi zyrtar i Tiranës për marrëveshjen Serbi-Kosovë?
Nuk ështe sekret se ish-ministri Bushati kishte mbajtur qëndrime të qarta kundër opsionit të ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Nuk është sekret edhe që Presidenti Meta ka shprehur të njëjtin qëndrim. Nuk është sekret që Kryeministri Rama nuk është prononcuar kundër ndaj opsionit të ndryshimit të kufijve, duke lënë hapësirë që të mendohet se mund edhe të mos jetë kundër.
Madje edhe refuzimi i Presidentit Meta për të dekretuar, propozimin e kryeministrit Rama që Ministër i Jashtëm, në vend të Bushatit të ishte, i riu 28 vjeҫar nga Prishtina, Gent Cakaj, u mbështet në deklaratat e këtij të fundit pro ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, të cituara nga vetë Meta se “shkëmbimi i kufijve po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”.
Përballë këtij qëndrimi, Presidenti Meta nxitoi të shprehet se “Integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të paprekshme” . Që të dy, presidenti Meta dhe ish-ministri i Jashtëm Bushati, me qëndrimin e tyre kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, janë në të njëjtën linjë me Kancelaren Merkel dhe diplomacinë gjermane. Por nuk përjashtohet që ndikimi personal i kancelares Merkel kundër korrigjimit të kufijve mund të ulet pas vendimit të saj për t’u larguar gradualisht nga skena politike, gjë që mund të lërë një hapësirë potenciale për rritjen e rolit të SHBA apo aktorëve të tjerë si Rusia.
Rritja e rolit amerikan u duk në ftesën e presidentit Trump për dy presidentët , Thaҫi dhe Vuҫiҫ, për të firmosur në Washington “marrëveshjen historike” nëse ajo arrihet mes tyre. Presidenti serb Vuҫiҫ tha gjatë vizitës në Beograd, të presidentit rus Putin, të enjten ( 17.01.) se “Nuk ka zgjidhje për Kosovën pa Rusinë”. Pritshmëritë janë se është koha që Kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Rama të deklarojë qëndrimin e Shqipërisë, nëse opsionit i ndryshimit të kufijve, mbetet dominant për të normalizuar marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë. /DW