Qendra protokollare e shtetit shndërrohet në qendër për seks dhe drogë (VIDEO)
Objekti që ishte destinuar të ndërtohej si qendër protokollare për nevojat e institucioneve të Kosovës, tashmë është shndërruar në objekt fantazmë. Me pamje si nëpër filma horror nga vizatimet, aty gjenden edhe mjete që tregojnë se po konsumohet droga e po kryhen marrëdhënie seksuale.
Ky objekt që shtetit i ka kushtuar miliona euro, nisi të ndërtohej vite më parë dhe ishte paraparë të bëhej Qendër Protokollare, e cila do t’i shërbente pritjes së delegacioneve ndërkombëtare.
Mirëpo, këto hapësira në vend të deputetëve e delegacioneve ndërkombëtare, po i shfrytëzon rinia e Kosovës, për të konsumuar drogë dhe për të bërë seks.
Shiringa, prezervativ, e mbetje të tjera mund të hasësh sapo të kalosh në afërsi të këtij objekti, i cili tashmë ka filluar të shkatërrohet.
Në Policinë e Kosovës kanë treguar se janë në dijeni për këto raste. Ata kanë thënë se janë duke u marrë me këtë rast, siç i mbulojnë të gjitha hapësirat të tjera në të cilat dyshohet se po kryhen aktivitete ilegale
“Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saja, përmes planifikimeve operacionale si dhe patrullimeve policore ndërmerr veprime me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme kudo që zhvillohen ato. Pra kudo që Policia e Kosovës posedon informacione, apo has ne persona te dyshuar që ushtrojnë veprimtari të kundërligjshme ndërmerr masa ndaj tyre varësisht prej natyrës së rastit. Veprime te tilla policore ndërmerr në ç’do lokacion, përfshire edhe lokacionin në fjalë”.
Ndërsa ish- kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci në kohën e të cilit kishte nisur ndërtimi i objektit, asokohe kishte thënë për mediat, se kompletimi i këtij objekti është paraparë të bëhet me një investim prej 4 apo 5 milionë eurove.
“Deri tani në këtë vend janë investuar afro 2 milionë euro nga taksat e qytetarëve. Projekti ideor i qendrës ishte pranuar me 3 qershor të vitit 2004, kurse fillimi i punimeve të këtij projektit ka filluar me 18 mars të vitit 2005”.
Meqenëse ekziston vendimi i Kryesisë së Kuvendit për vazhdimin e punimeve për Qendrën Protokollare, nga viti në vit, në projekt buxhet ndahen edhe para për ndërtimin e saj, por ndërkohë paratë shpenzohen në linja të tjera.
E lidhur më këtë temë FaktePlus ka tentuar që të marrë informacion edhe nga sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, por i njëjti nuk ka pranuar të flasë.
Kurse pa dhënë një sqarim për qendrën në Gërmi, shteti ka një kohë që po pretendon që të ndërtojë një Qendër tjetër Protokollare në Blinajë./FaktePlus