Qendra e thirrjes 192 në Polici – A i dini numrat e shërbimeve emergjente?
Numrat emergjentë të disa institucioneve me rëndësi do të duhej që çdo qytetar i Kosovës t’i mësonte. Kjo për arsye se është vërtetuar që në shumë raste thirrja në atë numra telefoni ka ndihmuar në zgjidhjen e problemeve dhe shpëtim të jetëve.
Pra, këta numra 112, 192, 193 duhet t’i mbajë në mendje secili në vendin ku jeton dhe t’i kontaktojë në rast të fatkeqësive dhe problemeve të ndryshme.
E numri 192 është ai që na bie ndërmend sa herë ndodhemi në një situatë të rrezikshme apo shohim diçka të pazakontë.
Ky është ky numri emergjent i Policisë së Kosovës, i vënë në dispozicion për qytetarët në raste urgjente.
Por, a ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend të dini diçka më shumë për numrin 192 apo Dhomën Emergjente të Policisë së Kosovës.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus, sjell informacione nga Policia e Kosovës në lidhje me dhomën emergjente dhe për ata që pranojnë thirrjet e qytetarëve kur janë në hall e kanë probleme nga më të ndryshmet.
Nga të dhënat e Policisë, mësohet se kjo dhomë është mirë e organizuar në përçimin e thirrjes tuaj emergjente.
Nëse ju shtypni këtë numër, thirrja juaj automatikisht do të incizohet dhe se informacionet tuaja do të ruhen në bazën e policisë.
Nga zyra për media në Policinë e Kosovës, kanë konfirmuar se Prishtina prinë me numrin më të madh të thirrjeve emergjente.
Vetëm në kryeqytet përgjatë 24 orëve, realizohen mbi 1 mijë thirrje emergjente.
“Në Drejtorinë Rajonale Prishtinë, si rajoni më i madh, ka më së shumti thirrje të qytetarëve, mesatarja ditore (24 orëshe) e kalon një mijë thirrje”, tregojnë në polici.
E qytetarët lajmërojnë raste nga më të ndryshmet dhe kërkojnë asistencën e policisë.
“Policia ka vënë në dispozicion të qytetarëve numra telefonik me të cilët qytetarët lajmërojnë raste të ndryshme dhe kërkojnë asistencën policore. Numri telefonik, që është edhe pa pagesë dhe të cilin më së shpeshti e përdorin të gjitha kur duan për arsye të ndryshme ta kontaktojnë policinë është nr. 192”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Edhe pse është një numër telefoni, pra numri 192, varësisht nga cila pjesë e Kosovës telefonojnë qytetarët edhe përgjigjen zyrtarët policorë.
“Nëse thirret ky numër, varësish nga vendi se nga merr qytetari, policia lajmërohet në tetë drejtori rajonale (Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri dhe Gjakovë)”, theksohet tutje në përgjigjet e zyrës së informimit në Polici.
Kush janë personat që lajmërohen në thirrjet e 192-shit
Mijëra telefonatave për 24 orë u përgjigjet një staf i uniformuar në Policinë e Kosovës. Këto thirrje policia i seleksionon sipas emergjencës së rastit për të dërguar njësitin përkatës.
“Policia e Kosovës ka staf të mjaftueshëm të uniformuar që u përgjigjen telefonatave të qytetarëve dhe më pas varësisht nga emergjenca e rasteve i trajtojnë duke dërguar njësi përkatëse policore në atë vend ku kërkohet prezenca policore”, tregojnë në polici.
Cilët janë numrat emergjent të tjerë?
Përveç policisë, numër emergjent konsiderohet edhe numri i zjarrfikësve, ndihmës së shpejt dhe numri emergjent për fatkeqësi të ndryshme. Pra numrat që nuk duhet harruar janë 112, 192 dhe numri 193./FaktePlus