Që tre muaj pa paga 104 punëtorët teknik të shkollave në Gjilan
Janë 104 punëtorë teknik të shkollave të Gjilanit, të cilët që tre muaj nuk i kanë marrë pagat. Krejt kjo pasi që kompanisë “Arianiti” e kontraktuar nga drejtoria e Arsimit në Gjilan, i kishte skaduar afati i kontratës në dhjetorin e vitit të kaluar (2018).
Punëtorët teknik arritën të marrin një rrogë, tek pas një takimi që zhvilloi Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë me Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë.
Megjithatë, drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazim Gagica dhe drejtori i kompanisë “Arianiti” po thonë se do të paguhet borxhi që kanë ndaj këtyre punëtoreve.
E në rast se nuk mbahet ky premtim, punëtorët me mbështetjen e sindikatës do të futen në grevë. Kështu ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi.
“Ne kemi shkuar të kërkojmë afat se kur do t’i paguajnë këta dy muaj që janë me vonesë. Anomalia më e madhe është sepse ata nuk kanë dashur të bisedojnë fare as për afat se kur do të paguajnë. Jemi në procedurë që nëse brenda dy javë dite nuk ua përcjellin ato pare, punëtorët me mbështetjen tonë do të futen në grevë”, tha Azemi.
E pronari i kompanisë “Arianiti”, Abedin Behluli është arsyetuar për mos dhënien e pagave për këta punëtorë.
Ai në një prononcim për FaktePlus ka thënë se e vetmja arsyeja është që iu ka skaduar afati i kontratës me komunën, por që premton se në afatin më të shkurtër kohor do të bëhen këto pagesa.
“Ka skaduar kontrata dhe tash jemi në bisedime për një marrëveshje që t’u bëjmë pagesat punëtorëve. Nuk ka të keqe asgjë këtu. Në një periudhë në afat të shkurtër do të bëhen edhe pagesat tjera”, tha Behluli.
Se pagesat do të bëhen po thotë edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazmi Gagica. Por siç tha ai për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, gjithçka do të bëhet nëpërmjet rrugëve ligjore dhe jo presioneve, duke iu referuar në këtë rast Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës.
“Punëtorët janë të një kompanie, kompani të cilës i ka skaduar kontrata në fund të vitit 2018-të dhe zyra prokurimit përzgjedhjen e operatorit ekonomik e ka bërë tek në mars… Realisht komuna nuk ka të bëjë me këtë, sepse kjo ka të bëjë me kompaninë private. Por, ne jemi duke bërë përpjekje të gjejmë rrugën më të mirë ligjore për të kryer obligimet dhe unë po besoj e shpresoj shumë në një rrugëdalje në mënyrë që atyre t’u kryhen këto obligime, por jo përmes rrugëve të presionit nëpërmjet sindikatës”, ka thënë ai.
Drejtorin Gagica duket se e ka penguar angazhimi sindikal për çështjen e punëtorëve. Madje ai thotë se sindikata gjatë një takimi i ka kushtëzuar, duke bërë presion që të veprohet jashtëligjshëm.
“Ata kanë ardhur na kanë kushtëzuar, na kanë kërcënu në kontaktin e parë. Ai donte me na shti me vepru në diçka të jashtëligjshme. Ne nuk mundemi ashtu. Ne duhet të presim formën ligjore të zgjidhjes së problemit”, është shprehur drejtori.
Kurse kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi thotë se drejtori i arsimit është i shqetësuar vetëm për faktin se ata si sindikatë kanë kërkuar të drejtën e punëtorëve.
“Me komunën kemi fol dhe nuk jemi ndarë mirë me ta, sepse me gjasë kanë bërë njëfarë qëllimi brenda komunës. Dhe merre me mend, drejtori i Arsimit ka qenë shumë i shqetësuar dhe i preokupuar pse ne kemi shkuar dhe kemi kërkuar të drejtën e punëtorit dhe në këtë rast ne jemi ndarë shumë keq me ta. Por, megjithatë presioni ia ka vlejtur, sepse tani u është dhënë një pagë punëtorëve”, ka theksuar Azemi.
Të 104 punëtorët teknik të shkollave të Gjilanit, deri tani sa ishin nën menaxhimin kompanisë “Arianiti”, merrnin një pagë prej 230 euro. Tani me tre muaj vonesë punëtorët presin të marrin pagat që u ka borxh kompania dhe me përzgjedhjen e operatorit të ri ekonomik paga e tyre pritet të arrij në 250 euro./FaktePlus