PZAP-ja shqipton mbi 154 mijë euro gjoba për subjektet politike
Mbi 154 mijë euro gjoba ka shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për subjektet politike të cilat kanë shkelur Kodin e Mirësjelljes gjatë këtyre ditëve të fushatës zgjedhore.
Ndërsa, që nga hapja e fushatës e deri më sot PZAP-ja, ka pranuar 121 ankesa, ku prej tyre janë shqyrtuar 60, kurse 61 janë në procedurë të shqyrtimit.
Kështu ka deklaruar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku.
“Deri më tani në lidhje me të gjitha ankesat që ka shqyrtuar dhe ka vendosur PZAP-ja duke shqiptuar gjithsej 154 mijë e 450 euro. Janë gjobitur shtatë subjekte politike, siç është PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe, koalicioni AAK-PSD, koalicioni NISMA-AKR-PD, IRDK parti komunitare dhe një parti tjetër minoritare”, ka thënë ai.
Ai ka treguar edhe se cila prej partive është gjobitur më shumë, duke filluar nga PDK-ja më 52 mijë e 900 euro, LDK-ja 32 mijë e 700 euro, Lista Serbe më 36 mijë e 100 euro, e pasuar nga koalicioni AAK-PSD më 28 mijë e 800 euro, koalicioni Nisma-AKR-PD më 2 mijë e 500 euro dhe disa parti minoritare.
Desku, ka treguar po ashtu edhe arsyet se për çfarë shkelje janë dënuar subjektet politike.
“Kryesisht kanë qenë shkelje vendosja e posterave në hapësira publike më së shumti, pastaj përdorimi i fëmijëve gjatë fushatës apo në fushatë, përdorimi i gjuhës së urrejtjes, pastaj shfrytëzimi i pozitës zyrtare për përfitim të votave nga qytetarët, vendosja e tryezave apo tavolinave në sheshe apo në trotuare, pra janë veprime të ndaluara të cilat i kanë shkaktuar subjektet politike dhe nga paneli janë konsideruar si përgjegjëse për këto shkelje edhe u është shqiptuar gjoba”, ka thënë ai.
Kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku ka sqaruar edhe kohën se kur fillon heshtja zgjedhore dhe se çfarë kanë të ndaluara gjatë kësaj kohe subjektet politike.
“Heshtja zgjedhore fillon sonte në ora 00:01 do të thotë më 5 tetor dhe nga kjo kohë duhet të ndalohet çdo aktivitet, çdo fushatë ta quaj kështu lobim apo thirrje të dikujt për dikë, qoftë subjekti për subjektin, qoftë kandidati për subjektin, qoftë qytetari për kandidatin apo subjektin. Këto janë të ndaluara si përmes rrjeteve kabllore, qoftë përmes rrjeteve sociale, në çfarë do mënyre pasi edhe ligji e thekson se bërja e fushatës është e dënueshme dhe të gjithë ata që e shkelin apo thyejnë heshtjen zgjedhore do të jenë objekt i shqyrtimit nëse pranohen ankesa në PZAP”, ka pohuar Desku.
Ndërsa, ka thënë se nëse subjektet politike thyejnë heshtjen zgjedhore ato do të sanksionohen dhe se këto sanksione bëhen kryesisht me gjoba.
“Kryesisht janë sanksionet me gjoba, tash lartësia e gjobave është diskrecion, pra paneli merr vendim varësisht prej peshës së shkeljes dhe e cakton edhe lartësinë e gjobës. Paneli ka të drejtë me shqiptu gjoba deri në 50 mijë euro në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme për një shkelje, por e ka edhe një rregullore që e ka miratu që është për kategorizimin e sanskioneve dhe gjobave”, ka thënë ai.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen të dielën ndërsa do të garojnë 25 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur./FaktePlus