PZAP-ja shqipton mbi 118 mijë euro gjoba për subjektet politike
Mbi 118 mijë euro gjoba ka shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për subjektet politike të cilat kanë shkelur Kodin e Mirësjelljes gjatë këtyre ditëve të fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 6 tetor.
Deri më sot, PZAP-ja ka pranuar 89 ankesa për fushatën zgjedhore, derisa vetëm 36 janë shqyrtuar deri më tani.
Kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, ka thënë për FaktePlus, se gjobat për subjektet politike janë rritur krahasuar me dy ditë më herët.
“89 ankesa për Fushatën Zgjedhore. 36 ankesa janë shqyrtuar dhe vendosur, 25 ankesa janë pranuar si të bazuara, 11 ankesa janë refuzuar si të pa bazuara, 53 ankesa janë në procedurë të shqyrtimit. Gjobat e shqiptuara nga PZAP-i, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend të Kosovës të 6 tetorit 2019. Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK me 30,500.00 euro, Partia Demokratike e Kosovës PDK me 29,000.00 euro, Lista Serbe me 30,000.00 euro, Koalicioni AAK-PSD me 26,200.00 euro, Koalicioni Nisma- AKR- PD me 2,500.00 euro dhe PREG me 250.00 euro. Gjithsej janë 118 mijë e 450 euro dënime”, ka thënë Desku.
Më tutje Desku ka shpjeguar edhe natyrën e apeleve që janë bërë në PZAP.
“Natyra e Apeleve është: Mos emërim i anëtarëve të KKZ-ve nga KQZ-ja, Tërheqje nga lista e kandidateve të subjekteve politike, Për mos përfshirjen në listën përfundimtare në listën e votuesve jashtë Kosovës, Kundërshtimin e Udhëzimit të KQZ-se, Mos emërim i KVV-ve nga KQZ-ja, Apel për shkak të keqpërdorimi të emrit të Subjektit Politik”, ka theksuar ai.
Fushata e parakohshme zgjedhore, vendosje e posterave në hapësirë publike, përdorimi i fëmijëve në fushatë, e thyerje të rregullave tjera, është natyra e ankesave që është bërë në PZAP.
“Natyra e ankesave është: Ankesa për bërjen e fushatës së parakohshme zgjedhore, Ankesa për Fushate zgjedhore, Vendosja e posterave në hapësira publike, Përdorimi i fëmijëve në fushatë, Presion ndaj votuesve për të votuar subjektin e caktuar politik, Shfrytëzimi i pozitës publike me qëllim të përfitimit të votave, Përdorim i gjuhës së urrejtjes, Vendosja e tavolinës me postera të kandidatëve në rrugë publike, Vendosja e tendës me materiale propaganduese në rrugë publike dhe Shpërndarja e videove nëpër rrjete sociale dhe përdorim i fëmijëve në fushatë Zgjedhore”, ka thenë Desku për FaktePlus.
Dënimet janë rritur për njëqind për qind në dy ditët e fundit, pasi të hënën FaktePlus raportoi se PZAP-ja kishte shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike në total rreth 60 mijë euro. Ndërsa vetëm dy ditë më vonë, kjo shifër ka shkuar në mbi 118 mijë euro./FaktePlus