PZAP-ja ka dënuar 14 persona, Prokuroria po pret kallëzime për manipuluesit e votave
Për shkak të gabimeve teknike, por edhe keqpërdorimit të votave të deputetëve nga komisionerët, mbi 800 vendvotime janë rinumëruar me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Prokuroria Themelore e Prishtinës po e pret KQZ-në që t’ia dërgojë kallëzimet penale për secilin person që dyshohet për keqpërdorime dhe mandej të fillojë hetimet. Ndërsa, PZAP-ja, tashmë u ka shqiptuar dënime 6 komisionerëve dhe 8 vëzhguesve, duke ua ndaluar atyre për pesë vite pjesëmarrjen në ndonjë proces zgjedhor në Kosovë.
Menjëherë pasi të certifikohen rezultatet për procesin e zgjedhjeve të 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të bëjë kallëzim penal për gjithë ata komisionerë apo persona tjerë që kanë manipuluar me vota në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se edhe kësaj radhe do të veprojnë sikurse herëve tjera, ku do të t’i dërgojnë kallëzime penale për gjithë ata manipulues të mundshëm me vota.
“KQZ-ja pas çdo procesi zgjedhor, edhe në të kaluarën, ka përcjellë në institucionet përkatëse kallëzime penale lidhur me manipulimet e mundshme që kanë mundur të ndodhin gjatë ditës së zgjedhjeve. Kështu do të veprojmë edhe kësaj radhe, por në një fazë të mëvonshme, pasi që aktualisht KQZ-ja është duke u marrë me përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka thënë Elezi, shkruan FaktePlus.
Mirëpo, në anën tjetër Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, tashmë ka shqiptuar dënime për një numër të komisionerëve dhe vëzhguesve për keqpërdorim të votave.
Mulë Desku, kryesues i sekretariatit te PZAP-it, ka thënë për FaktePlus, se gjashtë komisionerëve dhe tetë vëzhguesve u është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje për pesë vjetet e ardhshme.
“Deri në këtë fazë të procesit zgjedhor PZAP-i ka kontaktuar 6 komisionerë dhe 8 vëzhgues për këto shkelje dhe të cilët janë dënuar me vendime të PZAP-së nga 5 vite dhe nuk munden që të jenë pjesë e administratës së zgjedhjeve të organizuara nga KQZ-ja brenda kësaj periudhe kohore”, ka thënë Desku.
Me tutje Desku ka shtuar se nëse vërtetohet se komisionerët apo vëzhguesit kanë manipuluar votat dhe ka ndikuar në dëmtim të integritetit zgjedhor, atëherë ata do t’i rekomandojnë KQZ-së që ta përsërisë votimin.
“Nëse vërtetohet se manipulimi i votave në ndonjë qendër të votimit apo vendvotim ka ndikuar në dëmtimin e integritetit zgjedhor, PZAP-i ka të drejtë tëë urdhëroj KQZ-në të anuloj dhe të përsërisë votimin në ato qendra të votimit dhe në ato vendvotime”, është shprehur ai.
Ndërsa, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, thonë se janë duke pritur nga KQZ-ja kallëzime penale ndaj të gjitha tyre manipuluesve të votave në zgjedhjet e 6 tetorit.
Zyrtarja për informim e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për FaktePlus se KQZ-ja e ka obligim t’i paraqesë kallëzimet penale.
“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se KQZ-ja ka për obligim që deri në fund të këtij procesi të paraqes kallëzime penale në prokurori, ndaj të gjithë komisionerëve të cilët gjatë procesit të numërimit kanë kryer vepra penale kundër të drejtës së votimit”, është shprehur Ulaj.
Deri më tani në procesin zgjedhor të 6 tetorit, janë rinumëruar 844 vendvotime si pasojë e gabimeve teknike dhe manipulimit të votave të deputetëve dhe partive politike.
Sipas gjetjeve pas rinumërimit, është parë se në këto vendvotime shumë kandidatëve për deputetë u janë marrë votat dhe u janë numëruar liderit apo kandidatëve tjerë të afërt me krerët e partisë respektive.
Dënimet për zgjedhjet e kaluara
Që nga viti 2014 e deri më sot, janë rreth 2 mijë persona të Kosovës që janë përballur me ligjin, për vjedhje të votave dhe keqpërdorimeve në proceset zgjedhore.
Nga gjithë ky numër, 21 janë dënuar me burg, 42 kanë marrë dënime me gjobë, derisa 1171 persona të tjerë, kanë marrë dënime me kusht.
Por nga ajo që është publikuar shihej se vendimet e gjykatave që kanë dënuar personat për keqpërdorim vote ishin shumë të ulëta.
Në bazë të Nenit 219, të Kodit Penal të Kosovës, keqpërdoruesit e votës, mund të dënohen nga 3 deri në 5 vjet burg dhe me gjobë.
Dënimi me i vogël ishte me 3 muaj burgim, kurse dënimi me i madh me 6 muaj burgim. Kurse 1800 euro është vlera më e lartë e paguar si gjobë nga të dënuarit, ndërsa gjoba më e vogël është 150 euro.
/FaktePlus