PZAP-ja dënon me 360 mijë euro subjektet politike
Kosova më 6 tetor mbajti zgjedhjet parlamentare, ku qytetarët kanë dhënë votën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Në zgjedhjet e sivjetme garuan 25 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.
KQZ i ka publikuar rezultatet preliminare, të cilat kanë nxjerrë si parti të parë Lëvizjen Vetëvendosje, pasuar nga LDK-ja, mandej radhitet PDK, AAK dhe në fund Nisma, e cila rrezikon të mos kalojë pragun prej 5 për qind.
E gjithë këto subjekte politike pjesëmarrëse në zgjedhje, morën gjoba mjaft të mëdha nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për shkelje të ndryshme që kanë bërë gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore me 5 dhe 6 tetor.
Në PZAP deri sot janë dorëzuar 370 apele dhe ankesa, të cilat janë bërë para e gjatë fushatës zgjedhore, në ditën e heshtjes dhe votimit, si dhe disa tjera ditët pas votimit.
Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku ka thënë se përgjatë këtyre ditëve është rritur si numri i ankesave ashtu edhe shqiptimi i gjobave.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, deri me 10 tetor ka pranuar 86 apele dhe 284 ankesa. Gjithsej 370 apele dhe ankesa, 86 apelet janë pranuara para fushatës zgjedhore, 3 ankesa janë pranuar para fillimit të fushatës zyrtare zgjedhore, 140 ankesa janë pranuar gjatë fushatës zyrtare zgjedhore, 104 ankesa janë pranuar gjatë ditës së heshtjes zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve që kanë të bëjnë me thyerjen e heshtjes zgjedhore. 22 ankesa janë pranuar me datën 7.10.2019 me pretendimet për parregullsitë në ditën zgjedhjeve. 13 ankesa janë pranuar me datën 8 dhe 9 tetor 2019, disa me pretendimet për parregullsi në numërimin e votave, 4 me pretendimet për parregullsitë ne ditën votimit”, bëri të ditur Desku për FaktePlus.
Ashtu si e parasheh ligji, PZAP ka monitoruar subjektet politike dhe kandidatët për deputetë që kanë garuar për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
Më saktësisht janë trembëdhjetë subjekte politike të cilat gjatë këtyre ditëve kanë shkelur rregullat e fushatës zgjedhore, e që për këto shkelje janë ndëshkuar rëndë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa, shkruan FaktePlus.
Në listën e dënimeve nga PZAP, janë pothuajse të gjitha partitë politike me një borxh total prej 359,550.00 eurosh.
Është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e cila deri tani është dënuar më së shumti, e dyta vjen Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), mandej koalicioni AAK-PSD. Pas këtyre dënim mjaft të madh ka marrë Lista Serbe, e pas saj është Koalicioni Nisma-AKR-PD dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Këtu keni të dhënat ndaras të dënimeve që janë dhënë për secilën parti e koalicion:
- Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK = 74,400.00 euro,
- Partia Demokratike e Kosovës – PDK = 100,100.00 euro,
- Lëvizja Vetëvendosje = 14,100.00 euro,
- Lista Serbe = 36,500.00 euro,
- Koalicioni AAK-PSD = 89,600.00 euro,
- Koalicioni Nisma- AKR- PD = 33,900.00 euro,
- PREBK = 250.00 euro,
- IRDK Lendrit Qeli = 1,200.00 euro,
- SLS = 5,100.00 euro,
- PLE = 1,100.00 euro,
- VAKAT = 1,100.00 euro,
- KDTP = 1,100.00 euro,
- PG = 1,100.00 euro.
Gjithsej = 359,550.00 euro
Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në afatin ligjor i ka shqyrtuar dhe vendosur të gjitha ankesat dhe apelet.
Ndërsa gjobat e paguara nga partitë politike, shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe këto gjoba partitë duhet t’i paguajnë patjetër në rast se duan të garojnë sërish në zgjedhjet e ardhshme./FaktePlus