Putini në këtë fazë “siç ka qenë Millosheviq në Serbi”
Janë bërë gati tetë vjet prejse Rusia ka ndërhyrë në Ukrainë dhe ka aneksuar Gadishullin e Krimesë – gjë që ka nxitur një sërë sanksionesh ndërkombëtare kundër saj.
Sot, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë e gjejnë sërish veten duke u përpjekur të kuptojnë se si ta pengojnë presidentin rus, Vladimir Putin, nga pushtimi eventual i Ukrainës.
“Sigurisht se duhet shqetësuar nëse pushton një fuqi bërthamore. Nëse Putin pushton, kjo do të ishte hera e parë nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Rusia, tash e sa javë, ka vendosur pranë kufijve me Ukrainën mbi 100,000 trupa të saj, bashkë me armatim të rëndë. Sipas informacioneve të inteligjencës perëndimore, trupat ndodhen në distancë sulmi.
Rusia i mohon planet për pushtim dhe thotë se NATO-ja është ajo që paraqet kërcënim për sigurinë e saj. Rusia kërkon garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes dhe se nuk do të pranojë në radhët e saj vendet ish-sovjetike, përfshirë Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara – fuqia më e madhe në NATO – kanë refuzuar në një letër me shkrim kërkesat ruse për zgjerimin e aleancës, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.
“Ne jemi të hapur për dialog, ne preferojmë diplomacinë dhe jemi të përgatitur të ecim përpara aty ku ka mundësi komunikimi dhe bashkëpunimi, nëse Rusia ndal agresionin ndaj Ukrainës, nëse ndal retorikën nxitëse dhe diskuton për të ardhmen e sigurisë në Evropë në frymën e reciprocitetit”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se SHBA-ja nuk i ka marrë parasysh shqetësimet e Rusisë për sigurinë, por ka theksuar se ka hapësirë për të vazhduar dialogun me SHBA-në për këtë çështje.
Në një deklaratë më herët, Lavrov ka thënë se nëse Perëndimi nuk u përgjigjet kërkesave ruse, Kremlini do t’i marrë masat e duhura, por nuk ka specifikuar se cilat mund të jenë ato.
Po, përse Rusia është kaq shumë e fokusuar te Ukraina? Kur në vitin 1991 është shpërbërë Bashkimi Sovjetik, Rusia ka humbur kontrollin e 14 republikave që i ka dominuar më parë. Humbja e Ukrainës, megjithatë, ka qenë më e dhimbshme për të, marrë parasysh lidhjet e gjata midis dy vendeve.
Ukraina, me shekuj, ka qenë pjesë e perandorisë ruse, përpara se të bëhej republikë sovjetike. Vendi tani është duke lëvizur gjithnjë e më shumë kah Perëndimi.
Disa vende perëndimore, përfshirë SHBA-në, Britaninë dhe Kanadanë, janë duke furnizuar Ukrainën me armë mbrojtëse. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk e ka ndërmend të dërgojë trupa në Ukrainë, por ka paralajmëruar se Rusia do të goditet me “sanksione të papara” nëse e sulmon Ukrainën. Ngjashëm kanë paralajmëruar edhe disa aleatë evropianë të SHBA-së.
Dikush mund të vërë në dyshim efektivitetin e sanksioneve, marrë parasysh se Rusia është përballur me masa të tilla edhe pas aneksimit të Krimesë, edhe pas nxitjes së konfliktit separatist në lindje të Ukrainës dhe këto sanksione nuk e kanë penguar të shkaktojë krizën e tanishme. Megjithatë, kanë pasur ndikim në ekonominë ruse.
Sipas një analize të Këshillit Atlantik, ekonomia ruse nga viti 2014 është rritur mesatarisht për 0.3 për qind në vit, ndërsa mesatarja globale ka qenë 2.3 për qind në vit.
Ekspertët thonë se duhet të ketë unitet dhe koordinim më të madh, nëse paraqitet nevoja për sanksione të reja. Sipas tyre, Rusia vërtet mund të goditet rëndë.
“Flasim për sanksione që vërtet do t’i shkaktonin dëme të jashtëzakonshme ekonomisë ruse, sidomos popullit rus. Do të ishte një goditje e madhe nëse i ndalohet qasja në dollarin amerikan. Ju e dini se shumë rusë i mbajnë paratë e tyre në dollarë, shumë firma ruse operojnë me dollarë”, ka thënë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë Olga Oliker, drejtore e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
Sipas Saarah Pagung, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, duhet goditur aty ku dhemb. Si cak të sanksioneve ajo përmend: transaksionet financiare, bankat, eksportet dhe teknologjinë e mbrojtjes.
“Kemi parë në vitet 2013, 2014, se shumë evropianë dhe amerikanë e kanë mbivlerësuar logjikën ekonomike mbi atë politike, duke menduar se Rusia nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë, sepse kostoja do të jetë shumë e lartë. Ka rrezik që ky skenar në Rusi të përsëritet, andaj nuk jam 100% e sigurt se sanksionet vërtet do ta pengojnë Rusinë. Por, nëse dizajnohen me kujdes, ato mund të kenë ndikim ekstrem në ekonominë ruse, sidomos në sistemin financiar rus”, ka thënë Pagung për Exposenë.
Por, nëse vendosen sanksione të tilla, a do të ketë kundërpasoja për Perëndimin? Për Exposenë është përgjigjur Constanze Stelzenmuller, eksperte e politikave të sigurisë në Institutin Brookings në Uashington:
“Po, rusët mund të na lënë të mërdhijmë në dimër, nëse i mbyllin rubinetat e gazit. Ky do të ishte problem. Do të ishte një gjë shumë e komplikuar dhe e shtrenjtë për t’u zëvendësuar. Do ta rriste po ashtu inflacionin. Por, është e paimagjinueshme të mos i përgjigjemi agresionit ushtarak kundër Ukrainës me sanksione jashtëzakonisht të ashpra”.
Sipas Stelzenmuller, rreziku i luftës është shumë i lartë e, rrjedhimisht, edhe i pasojave shkatërruese. Spas saj, presidenti rus, Vladimir Putin, mund ta ketë humbur lidhjen me realitetin.
“Unë dyshoj se ai është në një situatë të ngjashme siç ka qenë Millosheviq në Serbi. I fiksuar pas armiqësive historike, i fiksuar pas inateve dhe nevojës për hakmarrje. Ai nuk është në gjendje për t’i lexuar homologët e tij perëndimorë dhe nuk është i rrethuar më nga njerëz që e kanë guximin t’i japin këshilla, të cilat nuk i pëlqejnë t’i dëgjojë. Dhe kjo është ajo që në fund e ka sjellë Millosheviqin para Tribunalit për Krime Lufte”.
“Për fat të keq, lufta civile në Jugosllavi ka zgjatur gati një dekadë dhe ka marrë jetën e qindra mijëra njerëzve. Andaj, shpresoj që udhëheqësit perëndimorë ia kanë bërë të qartë Putinit se cili do të jetë çmimi për Kremlinin dhe për të personalisht”, ka thënë Stelzenmuller.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shprehur shqetësimin se pushtimi eventual i Ukrainës edhe mund të dalë jashtë kontrollit dhe të shtrihet në vendet e NATO-s, që janë në kufi.
NATO-ja ka rreth 4,000 trupa në batalione shumëkombëshe në Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni.
“Jam shumë i shqetësuar. Shikoni, e vetmja luftë që është më e keqe se lufta e qëllimshme, është ajo që bëhet pa qëllim. Jam i shqetësuar se kjo mund të dalë jashtë kontrollit shumë lehtë”, ka thënë presidenti amerikan, Biden.
Do të ishte joracionale prej Rusisë nëse do të lejonte që pushtimi eventual i Ukrainës të rrëshqiste edhe në vende të tjera të Evropës, ka thënë Constanze Stelzenmuller, nga Instituti Brookings.
“Mendoj se rusët do të jenë krejtësisht të pamend nëse e zhvendosin agresionin ushtarak kundër një vendi anëtar të NATO-s. Ky do të ishte një rast për Nenin 5 të Traktatit të NATO-s dhe ne do të ndërhynim të gjithë kundër tyre. Atëherë, rusët do të jenë në shumë telashe”, ka thënë ajo.
Neni 5 i Traktatit të NATO-s thotë se sulmi kundër një vendi anëtar, nënkupton sulm kundër gjithë aleancës.
NATO-ja u është përgjigjur gjithashtu me shkrim kërkesave të Rusisë. Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, nuk ka dhënë shumë detaje, por ka thënë se beson në zgjidhje politike të krizës. Megjithatë, ka theksuar se aleatët mbeten të përgatitur për më të keqën.
“NATO beson fuqishëm se tensionet dhe mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me dialog dhe diplomaci, jo me forcë ose kërcënim të forcës”, ka thënë Stoltenberg.
Në gjithë këtë vorbull ngjarjesh, deklaratash e paralajmërimesh, nga vetë Kievi – që është cak i dikujt, e shqetësim i të tjerëve – janë bërë thirrje kundër panikut.
“Mbrojeni trupin tuaj nga viruset, trurin nga gënjeshtrat dhe zemrën nga paniku”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në një mesazh drejtuar popullit, më 25 janar.