Putin nënshkruan legjislacionin për “agjentët e huaj”
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar legjislacionin për të cilin vëzhguesit e të drejtave të njeriut dhe politikanët e opozitës kanë thënë se do të minojë proceset demokratike.
Legjislacioni i diskutueshëm hyri në fuqi menjëherë pasi u nënshkrua më 30 dhjetor dhe përfshiu një ndryshim në ligjin mbi “agjentët e huaj” që lejon individët dhe entitetet publike të njihen si agjentë të huaj nëse konsiderohet se janë të përfshirë në aktivitete politike “në interes të një shteti të huaj”.
Arsyet për t’u shpallur si “agjent i huaj”, sipas ligjit, mund të jenë mbledhja e qëllimshme e informacionit në lidhje me ushtrinë apo aktivitetet ushtarake të Rusisë që mund të dëmtojnë sigurinë e Rusisë, mbajtjen e tubimeve ose debateve politike, dhënien e mendimeve mbi politikat e shtetit, veprimet që nxisin një rezultat të caktuar në zgjedhje ose referendum, si dhe pjesëmarrja si vëzhgues zgjedhor ose në parti politike nëse ajo pjesëmarrje bëhet në interes të një subjekti të huaj.
Subjektet që shpallen si “agjentë të huaj” u nënshtrohen kufizimeve që përshijnë: sigurimin e raporteve financiare për aktivitetet e tyre dhe identifikimi i tyre si të tillë në publikime.
Putini nënshkroi një projekt-ligj të veçantë që vendos dënime deri në pesë vjet burg për ata që identifikohen si “agjentë të huaj” dhe të cilët nuk regjistrohen si të tillë ose nuk arrijnë të raportojnë për aktivitetet e tyre.
Organizata Amnesty International kritikoi legjislacionin, duke thënë se ai “do të kufizojë dhe dëmtojë shumë punën, jo vetëm të organizatave të shoqërisë civile që marrin fonde nga jashtë, por gjithashtu edhe për shumë grupe të tjera”.
Kritikët thonë se ligji për “agjentët e huaj”, i miratuar fillimisht më 2012 dhe që pastaj u amandamentua, është zbatuar në mënyrë arbitrare duke shënjestruar organizatat ruse të shoqërisë civile, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe aktivistët politikë.
Më 28 dhjetor, Rusia për herë të parë i regjistroi edhe individët si “agjentë të huaj”. Emrat e tyre u përfshin në një regjistër të ministrisë së Drejtësisë të “mediave të huaja që kryejnë funksionet e një agjenti të huaj”.
Tre nga pesë individët e listuar janë bashkëpunëtorë të Radios Evropa e Lirë. Dy të tjerët janë aktivistë që nuk janë anëtarë të medias.
Më 30 dhjetor, Putini nënshkroi gjithashtu një projekt-ligj që lejon rregullatorin e medias Roskomnadzor të kufizojë pjesërisht ose plotësisht qasjen në faqet e internetit të huaja që “diskriminojnë mediat ruse”.
Legjislacioni pritet të ndikojë në platformat kryesore të mediave sociale si YouTube, Facebook dhe Twitter.
Një projekt-ligj tjetër i nënshkruar ndalon zbulimin e informacionit personal në lidhje me disa “punonjës [të agjencive të zbatimit të ligjit], familjet e tyre dhe pasuritë”.