Pushkë automatike e revole konfiskohen në Pejë
Policia e Kosovës ka konfiskuar në dy raste të ndara në rajonin e Pejës armë zjarri, respektivisht një pushkë automatike e një revole me dhjetëra fishekë.
Rasti i parë ka ndodhur në fshatin Gremnikë të Klinës, me ç’rast është arrestuar i dyshuari shqiptar pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një armë (revole) me tetë 8 fishekë.
Për këtë rast nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari lirohet dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Kurse në rrugën “Beteja e Kosharës” në Pejë dje në orët e natës është arrestuar një i dyshuar, pasi që gjatë kontrollimit të veturës së tij i është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri (pushkë automatike) me 29 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Ky person me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh./FaktePlus