Punojnë deri në vdekje, shteti nuk kujdeset për sigurinë e tyre
Në diell, në shi, e në borë, detyrohen të punojnë vetëm për të siguruar kafshatën e gojës për familjet e tyre. E shpeshherë duke rrezikuar edhe jetën e tyre.
Janë këta punëtorët e sektorit të ndërtimit.
Ani pse këtë vit ka më pak vdekje të punëtorëve në vendin e punës, megjithatë kushtet në të cilat punojnë nuk janë të mira.
Ata gjejnë guximin të hipin në skele dhe në ndërtesat tejet të larta e nga të cilat në çdo moment mund të bien. Por, janë të “pafuqishëm” e të “paguximshëm” kur bëhet fjalë të flasin për të padrejtësitë që bëjnë boss-at e disa kompanive ndërtimore.
Me probleme të njëjta, mangu vetëm lartësia, po përballen edhe shumica e punëtorëve në sektorin privat. Krejt kur mund të marrin vëmendje po është koha e fushatës zgjedhore.
Edhe “zëri” i punëtorëve privat thotë se kjo kategori e punëtorëve janë lënë anash dhe se kjo ka ndikuar që mos të kenë guximin të kërkojnë të drejtat e tyre.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se këtë vit janë 16 punëtorë që kanë humbur jetë në vendin e punës.
“Edhe në moment kur humb jeta e një punëtori, për neve është shumë. Por megjithatë nëse e marrim një krahasim për muajt e vitit të kaluar, kemi një ulje pak sa simbolike. Se në vitin e kaluar deri në fund të tetorit kemi pasur 25 vdekje në vendin e punës, kurse në këtë vit kemi 16 vdekje në vendin e punës…Megjithatë ne jemi të vetëdijshëm se ende në Kosovë raporti i vdekjes së punëtorëve në vendin e punës në raport me Bashkimin Evropian është një me katër”, tha ai për FaktePlus.
Kryesindikalisti i sektorit privat thotë se shteti për këtë kategori të punëtorëve nuk ka bërë asgjë.
“Për punëtorët e sektorit privat nuk është bërë asgjë, bash asgjë, absolutisht asgjë…Shteti nuk ka menduar të krijojë bazë sociale për punëtorët e sektorit privat. Qëllimin e kanë pas nga pronarët e kompanive për të mos detyruar që të zbatojnë ligjin dhe marrëveshjen kolektive. Qëllimi i tyre ka qenë që të përfitojnë në mënyrë individuale dhe personale duke u nisur nga institucionet e gjitha tjerat”, tha ai.
E aktivisti i shoqërisë civile që është dhe zëri i punëtorëve ndaj të cilëve po bëhet padrejtësi nga pronarët e bizneseve të ndryshme, Kushtrim Mehmeti thotë për FaktePlus se rënia e numrit të vdekjeve në vendin e punës nuk duhet t’i bëjë komod, pasi kjo problematikë ende është shqetësuese në Kosovë.
“Sivjet ka rënë numri, por kjo nuk besoj dhe nuk është prej faktit që është shtuar siguria në vendin e punës apo është ndërmarrë diçka në atë drejtim. Më shumë lidhet me fatin dhe pjesën e asaj se sa është duke u punuar. Gjithashtu e dimë që nuk është shtuar as numri i inspektorëve, ende qëndron me një numër të papërfillshëm. Po mendoj se ende qëndron si problematikë e madhe. Ne duhet të gëzohemi që ka rënë numri i vdekjeve në vendin e punës dhe nuk duhet të ndjehemi komod për shkak se kemi nevojë me punu në atë drejtim”, tha Mehmeti.
E ankesat e të punësuarve në këtë sektor sipas Mehmetit kryesisht kanë qenë e vazhdojnë të jenë për paga të vogla, orar të stërzgjatur, trajtim jo adekuat dhe shkelje tjera të shumta.
“Kërkesat për me ngrit zëri është orari i stërzgjatur, kushtet e punës janë jashtëzakonisht të rënda dhe këto kërkesa gradualisht po e dërgojnë deri në nivelin e asaj. Gjithmonë qëndron ajo se derisa këta janë 15-20 punëtorë shumë lehtë është për pronarin me zëvendësu disa prej tyre që janë më të zëshëm e që e ngritin zërin. Trema e tyre është, që ka me mbet pa punë dhe pos kësaj ne e dimë që bizneset janë të lidhura me njëra tjetra dhe nëse ti shkon për të kërkuar punë në një biznes të caktuar dhe sigurisht ka me qenë shok i atij shefit të mëparshëm. Pra, pos që e hup vendin e punës është vështirë me gjet tjetër punë”, tha Mehmeti.
Vitin që lamë në vendin e punës në rrethana të njëjta, pasiguria në punë, humbën jetë 23 punëtorë. Nga ky numër, sipas Inspektoratit të Punës, 12 ishin punëtorë të ndërtimtarisë.
Për vdekjet në vendin e punës ishte mbajtur edhe një protestë me moton “Ndërtesat janë tuajat, jeta është e jona” ku protestuesit me 93 helmeta në duart marshuan drejt Qeverisë së Kosovës për 93 punëtorët e vdekur në vendet e punës në 5 vitet e fundit.
Protestë kjo që në Prishtinë ishte ndër të parat të organizuara në 10-vjeçarin e fundit ose dhe më gjatë, e që adresoi sigurinë dhe të drejtat e punëtorëve të ndërtimtarisë.
Në nenin 22, pika 1, të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë thuhet se punëdhënësi është i detyruar t’u sigurojë të gjithë të punësuarve kontrollime mjekësore në institucionet shëndetësore të licencuara. Dhe ekzistojnë dy lloj kontrollimesh mjekësore: kontrollimi për certifikim të punës dhe kontrollimet sistematike.
Punëdhënësi, sipas Ligjit të Punës, është i obliguar ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë.
Po ashtu, punëdhënësi sipas Ligjit për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë, ka përgjegjësi që t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për siguri dhe shëndet në punë, duke përfshirë edhe masat parandaluese kundër rreziqeve profesionale. Në anën tjetër, i punësuari është i detyruar ta informojë Inspektoratin e Punës në rast të ndonjë aksidenti me pasojë në lëndimin apo vdekjen e të punësuarit.
Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës janë definuar edhe dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës. Sipas nenit 367 të këtij Kodi, kushdo që dëmton ose heq pajisjet mbrojtëse duke rrezikuar jetën e punëtorëve dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa nëse pajisjet mbrojtëse nuk janë vendosur fare ose nuk janë mirëmbajtur, personat përgjegjës dënohen prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.
Në rastet e lëndimeve më të rënda, personi përgjegjës mund të dënohet me 1 deri në 10 vite burgim, ndërsa nëse rasti pason në vdekjen e një apo më shumë personave përgjegjësi mund të dënohet prej 1 deri në 12 vjet burgim./FaktePlus