Punimet gati kryhen në objektin pa leje, komuna e Fushë Kosovës “qele guri gojën”
Objekti banesor i ndërtuar pa leje në rrugën “Nëna Tereza” në Fushë Kosovë, ishte bërë shkak që muajin prill të këtij viti të arrestohen tre persona, ndërtuesi dhe dy zyrtarë të komunës nën akuzën që në kundërshtim me autorizimet e tyre i kishin lëshuar leje ndërtimore investitorit për ndërtimin e objektit për banim e afarizëm.
Edhe pse Komuna e Fushë Kosovës kishte lëshuar urdhër për ndërprerjen e punimeve në objektin banesor, ato kanë vazhduar pa ndalur ndonëse me intensitet më të vogël, shkruan FaktePlus.
Siç shihet edhe në foto ndërtuesi dy javë më parë i ka vënë edhe pllakën përfundimtare objektit nëntë katesh, ndonëse komuna e mohon se aty kanë vazhduar punimet. Madje objektit në fjalë i janë vënë edhe dritaret e plastikës.
Të kontaktuar nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus, zyrtarë të komunës së Fushë Kosovës nuk kanë pranuar të flasin.
Foto: Pamje nga vazhdimi i punimeve, pas arrestimeve të kryera
Bazuar në një përgjigje të mëhershme nga Ali Topalli zyrtar për informim në komunën e Fushë Kosovës, thuhet se aktualisht punimet nuk janë duke vazhduar dhe nëse tenton investitori të punojë komuna nuk do ta lejojë.
“Aktualisht punimet nuk janë duke vazhduar dhe nëse tenton investitori të punojë ne nuk do të lejojmë deri të merret një vendim i ri nga komuna”, ka thënë në një prononcim të dhënë gjatë muajit prill, Topalli.
Foto: Vazhdimi i punimeve të objektit në fjalë
Për objektin në fjalë me 11 prill policia e pati arrestuar drejtorin komunal për Planifikim Urbanistik, Abdullah Prebezën, shefen e Planifikimit Urban, Antigona Sahitin, si dhe pronarin e kompanisë ndërtuese “Naki Trade”, Milazim Veliun.
Ndërtimi i objektit në fjalë është bërë ngjitur për dy objekte tjera, duke bërë që të mbyllen dritaret e banesave ekzistuese.
Në njoftimin paraprak nga Policia e Kosovës të datës 11 prill, thuhej se janë arrestuar dy meshkuj dhe një grua në Fushë Kosovë për keqpërdorim të pozitës dhe punime ndërtimore të kundërligjshme.
Në njoftim theksohej se dy të parët ishin persona zyrtarë që në kundërshtim me autorizimet e tyre kishin lëshuar leje ndërtimore për investitorin për ndërtimin e objektit shumë banesorë me afarizëm në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë dhe kishin dhënë lejen ndërtimore për investitorin tjetër, duke mos i përfillur procedurat e parapara sipas Ligjit të ndërtimit dhe në kundërshtim me udhëzimet e administrative.
Në rastin e lejes për kompaninë e parë, veprimi i të dyshuarve ka shkaktuar dëm për banorët e dy objekteve ekzistuese, duke mos respektuar distancën e ndërtimit.
“I dyshuari (M.V.) në cilësinë e pronarit të kompanisë (1), dhe ndërtuesit të objektit në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë edhe pse ishte pajisur me leje ndërtimi nga të dyshuarit në kundërshtim me Ligjin e Ndërtimit dhe udhëzimet administrative, i njëjti nuk ju ka përmbajtur as kësaj leje ndërtimi duke bërë tejkalime të lejes gjatë ndërtimit të objektit si dhe nuk ka përfillur urdhëresat e Inspektoratit të Ndërtimit për ndërprerjen e punimeve të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit me iniciale (A.P.) dhe (A.S.) me veprimet e tyre dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”, ndërsa i dyshuari me iniciale (M.V.) dyshohet se ka kryer veprën penale “Punime ndërtimore të kundërligjshme”.
Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit kompetent, u patën dërguar në ndalim për 48 orë, e mandej u liruar në procedurë të rregulluar./FaktePlus