Punëtorët po largohen nga puna, Sindikata thotë se pakoja emergjente nuk mjafton
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës deklaron se shumë kompani janë duke i larguar nga puna punëtorët në kohën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19. Po kjo Sindikatë, vlerëson se pakoja emergjente e miratuar nga Qeveria e Kosovës nuk është e mjaftueshme që të paguhen të gjithë punëtorët e sektorit privat.
Kryetari i kësaj sindikate Jusuf Azemi, përmes një konference për media, deklaroi se shumë punëtorë janë duke u larguar nga puna, për çka bëri thirrje që të ketë një vendim nga Qeveria e vendit që do të ndëshkonte kompanitë që shkelin ligjin e punës.
“Ende shumë punëtorë ballafaqohen me mungesë të masave mbrojtëse elementare. Gjatë kësaj periudhe kemi vërejtur se shumë kompani, një numër jo i vogël j anë duke larguar punëtorët nga kompanitë e tyre, janë duke larguar punëtorët në mënyrë individuale dhe grupore, për të cilat kemi raste në shumë kompani. Punëtorët përpos largimit nga puna kanë filluar pronarët e kompanive që t’i ulin edhe pozitat e punëtorëve dhe t’iu ofrojnë kontrata ekstra në këtë periudhë të cilën veç ne po gjendemi. Përderisa Qeveria e Kosovës ka proklamuar se punëtorët të cilët edhe mund të punojnë nga shtëpitë aty ku krijohen mundësitë dhe ne kemi vërejtur se shkak i kësaj ka ndodhur edhe largimi i punëtorëve edhe pse ka pasur mundësi që shumë punëtorë ta kryejnë punën e tyre nga shtëpitë, këtë pronarët e kompanive nuk e kanë lejuar. Ne kemi vendime të cilat pronarët e kompanive i kanë larguar nga puna dhe sigurisht që Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Inspektorati i Punës jam shumë i bindur se nuk do t’ia del ballë prezantimit te kryeministrit lidhur me këtë çështje”, tha ai.
Ai tha se punëtorët të cilët janë duke e vazhduar punën po përballen me probleme të shumta, ku ndër to përmendi mungesën e transportit. Sipas tij, për çështjen e transportit të udhëtarëve nuk janë marrë as kompanitë e as shteti.
Sa i përket pakos emergjente të miratuar nga Qeveria, Azemi tha se ajo nuk është e mjaftueshme për të paguar të gjithë punëtorët e sektorit privat. Ai tha se ka edhe shumë paqartësi se për cilat kategori janë ndarë rreth 400 milionë euro për pagat e punëtorëve të sektorit privat.
Ai tha se e kanë dhënë një propozim që të ketë zvogëlim të pagave të punëtorëve në sektorin publik dhe të ketë rritje në sektorin privat.
“Me pakon që e ka ndarë për punëtorët e sektorit privat, mund të ndahen për 100 mijë punëtorë vetëm për dy muajt, pra prillin dhe majin, kur dihet se në sektorin privat kemi mbi 300 mijë punëtorë, e llogarisim se 100 mijë i kemi aktiv nëpër kompani të mëdha dhe nëpër shërbime të tjera që kryejnë. Diku mbi 250 mijë punëtorë janë jashtë procesit të punës. E kemi bërë një propozim që së paku për dy muajt e ardhshëm ndoshta të ulet paga dhe njëfarë forme të bëhet nivelizimi i pagave të sektorit privat me sektorin publik dhe paga e sektorit publik të zvogëlohet për 50 për qind dhe paga e sektorit privat të rritet për 50 për qind”, tha ai.
Nga fondi rreth 180 milionë euro, propozoj Qeverisë së Kosovës që 20 për qind të këtij fondi e që diku i bie rreth 36 milionë euro të mbetet si fond rezervë, sepse do të dalin kategori të punëtorëve të cilët Ministria e Financave dhe Qeveria nuk i ka paraparë fare. Andej që të mos ketë pakënaqësi të mëdha, thërrasë që këtë fond prej 36 milionë euro të mbetet fond rezervë për të cilat kategori Qeveria nuk i ka paraparë. Kemi punëtorët teknik në të gjitha QKMF-të, në QKUK, të cilët për çdo ditë janë prezent bashkë me mjekët dhe mendoj që është jo serioze të bëhet një ndarje e tillë”, tha ai.
Azemi u ka bërë thirrje edhe pronarëve të kompanive që janë duke ushtruar veprimtarinë e tyre që të sigurojnë punëtorët dhe t’i pajisin me mjete mbrojtëse.