“Punë pas orës 19:00”- Rreth 30 mijë qytetarë morën këso certifikata nga ATK-ja
Nga 13 nëntori e deri me tani numri i certifikatave për të punësuarit, e cila nënkupton dokument për lëvizje brenda kufizimit të orëve të lëvizjes, është 29 mijë e 41. Sipas ATK-së, vetëm të premten kur kanë hyrë masat e reja në fuqi, janë pajisur mbi 8 mijë persona me certifikatë të tilla.
Shumë nga bizneseve vendore si dhe punëtorëve, që nga e premtja e javës së kaluar iu është kufizuar orari dhe qarkullimi në punë.
Qeveria e Kosovës ka vendosur masa të reja ndaj përhapjes së koronavirusit duke ndaluar qarkullimin dhe duke e kthyer orën policore në disa komuna të vendit.
Nga ora 05:00 deri në 19:00, sipas vendimit u lejohet veprimtaria dhe qarkullimi i qytetarëve në komunat të cilat konsiderohen si rrezik i lartë e që bëjnë pjesë në Zonën e kuqe, zonë kjo ku kontrollohet rreptësisht në Policia e Kosovës.
Në bazë të këtyre masave, Institucionet vendore kanë paraparë që për lëvizje të qytetarëve brenda kufizimit, të pajisen me certifikata pune.
Administrata Tatimore e Kosovës, javën që lamë pas ka njoftuar për mundësinë për tu pajisur me certifikata pune.
“Referuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 13.11.2020, për parandalimin, luftimin dhe eleminimin e sëmundjes ngjitëse COVID 19, Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se të gjitha bizneset, (punonjëseve të të cilave ju kërkohet leje qarkullimi vetëm në kuadër të kryerjes së detyrave të punës) sipas kodeve të lejuara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Sistemit Elektronik EDI mund të pajisen me “Certifikatën e të Punësuarit”, thuhej në njoftimin e ATK-së
Nga ATK për FaktePlus, kanë bërë me dije se nga data 13 nëntor e deri sot, janë pajisur me certifikata pune gjithsej 29 mijë e 41 qytetarë.
Valentina Bytyqi-Sefa nga divizioni për komunikim me publikun në Administratën Tatimore të Kosovës, ka pohuar se interesimi për këtë proces është i lartë.
Ajo thotë se vetëm për një ditë janë pajisur mbi 8 mijë persona me këtë certifikatë.
“ Nga data 13 nëntor e deri me tani numri i Certifikatave për te punësuarit, e cila nënkupton dokument për lëvizje brenda kufizimit të orëve të lëvizjes, të parapara në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës është 29 mijë e 41”, ka thënë Bytyqi-Sefa.
Sipas të dhënave të ATK-së vetëm të premten kur edhe kanë hyrë masat e reja në fuqi, janë pajisur mbi 8 mijë persona me certifikatë të punës.
Më poshtë gjeni Certifikatat e shkarkuara sipas ditëve:
Bytyqi-Sefa tutje thekson se Sistemi EDI i ATK-së për shkarkimin e kësaj çertifikate është duke funksionuar normalisht dhe deri me tani nuk ka pasur asnjë problem.
Ndryshe të premten, në orën 18:00 kanë hyrë në fuqi masat e reja ndaj koronavirusit, të marra nga Qeveria e Kosovës.
Prishtina dhe nëntë komuna tjera, prej orës 19:00 deri në orën 05:00 do të kenë kufizim në lëvizje.
Aktiviteti ekonomik do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 18:00, 19:00 ose 20:00, varësisht në cilën “zonë” të vlerësuar të rrezikshmërisë ndodhet komuna.
Komunat janë ndarë në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër që ka rrezikshmërinë më të ulët.
Qeveria ka futur në zonë të kuqe qytetet me mbi 150 raste në javë për 100 mijë banorë. Qytetet tjera në këtë zonë janë Peja, Gjakova, Ferizaj, Gjilani, Shtimja, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Mitrovica.
Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm me 76 deri me 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë 19 komuna; Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Leposavic, Deçan, Klinë, Drenas, Prizren, Hani i Elezit, Suhareka, Lipjani, Graçanica, Novobërda, Kamenica, Ranillugu, Parteshi, Vitia dhe Kaqaniku dhe Kllokoti.
Në zonën e gjelbërt bëjnë pjesë komunat (10) me rrezik të ulët, me 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat si në vijim; Malisheva, Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Rahoveci, Juniku, Skenderaj, Istogu, Zubin Potoku dhe Zveçani.
Këto masa sipas qeverisë do të vlerësohen pas dy javësh./FaktePlus/.