Publikohet udhëzim për çmimet e derivateve, kaq centë do të fitojnë naftëtarët
Qeveria e Kosovës ka publikuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimeve të naftës. Sipas këtij udhëzimi administrativ, çmimi për marzhën tregtare maksimale për litër të produktit të naftës shitur me shumicë është 2 centë, derisa për litër të produktit të shitur me pakicë është 12 centë.
Qeveria e Kosovës ka publikuar Udhëzimin Administrativ të miratuar në mbledhjen e fundit për sa i përket rregullimit të çmimeve të naftës.
Sipas këtij udhëzimi administrativ, çmimi për marzhën tregtare maksimale për litër të produktit të naftës shitur me shumicë është 2 centë, derisa për litër të produktit të shitur me pakicë është 12 centë.
Rregullimi i çmimeve dhe masat nga paragrafi 1 i këtij neni mbeten në fuqi tridhjetë (30) ditë, përveç nëse shfuqizohen ose ndryshohen me vendim sipas nenit 7 të këtij udhëzimi administrativ.
Ky Udhëzim zbatohet ndaj institucioneve përgjegjëse për tregun e naftës dhe subjekteve që merren me veprimtari të naftës.
Po ashtu, thuhet se Udhëzimi Administrativ zbatohet vetëm ndaj karburanteve të përdorshme në transport.
Në nenin 4 të këtij Udhëzimi, thuhet se mund të rregullohen çmimet duke caktuar marzhën tregtare maksimale të lejuar: dy eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë; dhe dymbëdhjetë eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.
Ky Udhëzim Administrativ hyn në fuqi një ditë pasi të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Aktualisht një litër naftë në vend kushton rreth 1.9 euro.
Nafta e benzina kanë prekur çmime rekorde javëve të fundit. Në vazhdimësi opozita ka kërkuar heqjen e akcizës dhe uljen e TVSH-së, ndërsa Qeveria ka paralajmëruar masa “së shpejti”.
Naftëtarët në Kosovë më 9 qershor, përmes një shkrese drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrave të linjës së ekonomisë, kanë kërkuan që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) të jetë: për shitje me shumicë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12%.
“Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, sot Qeveria e Kosovës nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur mbledh rreth 64 centë, apo 12 centë më shumë sesa para krizës globale për litër”, u tha në shkresë.
Sipas naftëtarëve, nëse Qeveria dëshiron të mbrojë konsumatorët, duhet të ulë akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për naftën, sikurse, siç thanë, kanë bërë vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimit Europian.
Subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe naftëtarët kanë kërkuar që për naftën të ulet akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në mënyrë që të mundësohet ulja e çmimeve.
Naftëtarët patën deklaruar se po rrezikonin që të falimentonin nëse aplikohet një marzhë e ngjashme për fitim, siç kishte vendosur për periudhën 3 mars-31 maj.
Qeveria e Kosovës më 1 mars pati marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.
Sipas vendimit, marzhi më i lartë tregtar ishte deri në 4% të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë ishte në 6 për qind. Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.