Publikohen të dhëna jo të mira për Kosovën
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka nxjerrë publikimin e saj më të fundit, me ç’rast janë prezantuar të dhëna jo fort të mira për vendin. Të dhënat e këtij publikimi tregojnë se Kosova ka më pak se 1.8 milion banorë, me mbi 50 për qind të popullatës të papunë, si dhe me ajrin shumë të ndotur.
Këto të dhëna janë të publikuara në punimin “Disa Fakte mbi Mjedisin” për vitin 2018, me të cilin ASK thotë se synon të kontribuojë në krijimin e një informacioni të qëndrueshëm mbi gjendjen e mjedisit në Kosovë, shkruan FaktePlus.
Ky publikim jep informacion rreth treguesve ekonomiko-socialë, treguesve të energjisë, të bujqësisë dhe pylltarisë, të transportit hekurudhorë, dhe treguesve të ajrit.
Kështu, sipas këtij publikimi te treguesit ekonomiko-socialë: numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente në Kosovë është 1.798.506 banorë.
Nga numri i përgjithshëm, thuhet se dy të tretat e popullsisë së Kosovës është në moshë pune (15-64 vjeç); ku 58.3% e tyre nuk janë ekonomikisht aktivë; nga 41.7% e popullsisë ekonomikisht aktive, 50.5% janë të papunë. Të punësuarit në bujqësi në vitin 2017 ishte ngritur në 5%, raporton FaktePlus.
Te treguesit për energji: Sasia e thëngjillit në dispozicion për vitin 2017 ishte 1 447.85 tonë; derisa në tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2018, prodhimi i thëngjillit ka qenë 1 928.4 mijë tonë.
Te treguesit e bujqësisë: Gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në vitin 2017 ishte 416.072,33 hektarë; Livadhe dhe kullosa (përfshirë tokën e përbashkët) 218 314,30 ha ose (52.5%); ndërsa tokë e punueshme – ara ishin 186 954,16 ha ose 44.9%).
Te treguesit e pylltarisë: Gjithsej sipërfaqja pyjore është 464,800 ha ose 42% e sipërfaqes së përgjithshme të Kosovës. Pyjet gjetherënëse përfaqësojnë 90% të pyjeve të Kosovës dhe janë të dominuara nga dushqet dhe ahu. Kurse, pyjet halore mbulojnë rreth 7% të pyjeve dhe janë të dominuar nga pisha, bredhi dhe hermoqi.
Te treguesit e transportit hekurudhor: në vitin 2017 numri i pasagjerëve ka qenë 156 mijë; numri i fluturimeve nga Aeroporti i Prishtinës në TM1 2018 ishte 1 560, ose 13.70% më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2017).
Te treguesit e ajrit: vlerat mesatare mujore të PM2.5, gjatë periudhës janar-dhjetor 2017, bazuar në të dhënat e IHMK, kishte tejkalime të theksuara të VML për PM2.5. Kurse, gjatë vitit 2018 ka pasur vlera shumë tё larta tё pluhurit nё formё PM 10 dhe PM2.5 nё disa lokalitete të vendit.
Për më shumë lexoni KËTU