Psikologia kosovare jep disa këshilla si të përballohet izolimi në shtëpi nga koronavirusi
Në kushtet aktuale kur ende nuk ka një vaksinë për ta parandaluar koronavirusin, apo një ilaç për trajtimin e tij, e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur prej infektimit është distancimi social. E sikur vende të ndryshme të botës edhe Kosova mori disa masa për mbrojtje, duke mbyllur gjithë institucionet arsimore, e institucione tjera dhe kufizuar lëvizjen e qytetarëve.
Përveç këtyre masave qeveritare është edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, i cili ka rekomanduar qytetarët që këto ditë sa më pak të lëvizin dhe të qëndrojnë të izoluar nëpër shtëpi që të ndalet përhapja e koronavirusit.
Siç duket këto vendime për ndaljen e punës, mësimit e shumë aktiviteteve të tjera, dhe qëndrimi për disa ditë në shtëpi, po i shtynë një pjesë të qytetarëve në monotoni.
Për këtë shkak, Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka intervistuar psikologen, Nexhmie Beshiri, për të marrë një mendim e këshillë profesionale se si të tejkalohen problemet me të cilat mund të përballen qytetarët shkaku i monotonisë.
Beshiri përmes kësaj interviste sqaron e zbërthen disa nga të panjohurat që sjellin situatat e tilla, mënyrën se si duhet përballur dhe si duhet tejkaluar.
Ajo flet edhe për anët pozitive që ka situata aktuale dhe këshillon që qytetarët mos të mbingarkohen me informacione të shumta e statistika të shpeshta, ndërsa rekomandon që të lexohen libra, të dëgjohet muzikë, të shikohet ndonjë film apo edhe të bëhet art.
“Çdo gjë që është e panjohur është e frikshme, në këtë rast kemi të bëjmë me Covid-19 dhe meqenëse është një virus i panjohur, është e natyrshme që është i frikshëm dhe njerëzit automatikisht e marrin si diçka të frikshme. Ne jemi duke kaluar në një faze të stresit për arsye se në momentin që është lajmëruar ky virus, ne kemi filluar të shqetësohemi dhe vetë shqetësimi është stres dhe stresi ka disa faza që ne tani jemi duke i kaluar. Do të thotë kemi fazën e alarmit pasi kemi qenë të alarmuar se diçka po ndodhë, fazën e rezistencës, mendoj se tani jemi në këtë fazë, dmth ne duhet të jemi të kthjellët sa i përket kësaj faze, të mundohemi sa më tepër të fuqizojmë diturinë tonë në shtëpitë tona. Është faza e rraskapitjes që kjo mund të ndodhë në fund të krejt këtyre ndodhive, dmth është faza e fundit që pritet të ndodhë pasi të zhduket”, ka thënë ajo.
Psikologia thekson se gjatë kësaj kohe në konsultat e saj ka vërejtur te qytetarët një dozë të frikës dhe ankthit.
“Në bazë të konsultimeve, kërkesave dhe ankesave, gjithashtu të gjitha janë të lidhura me anksiozitet, ajo që ekziston tek njerëzit është shfaqur një frikë, ankth, panik nga e cila nuk mund të dalim lehtë për arsye se e gjitha kjo shkaktohet nga emocionet të cilat i kemi si nxitje brenda vetes”.
Por, sipas psikologes Beshiri, qëndrimi në shtëpi ka edhe anët pozitive.
“Është e vërtetë që njerëzit në kohën e fundit kanë qenë shumë produktiv dhe individualisht secili ka qenë në ndonjë vend pune, studime apo çerdhe, izolimi nuk është i mirëseardhur për ata që kanë zhvillu aktivitete të tilla. Mirëpo duhet të kemi parasysh se izolimi nuk është çrrënjosja e të gjitha aktiviteteve, duhet menduar se shtëpia është ambienti më i mirë i mundshëm, ne duhet të marrim këtë sa më shtruar dhe sa më këndshëm në mënyrë që t’i dalim ballë kësaj sfide”.
Ajo shton se ndjenjat duhet kontrolluar pasi përmes kësaj mund të vijnë çrregullime të tjera.
“Fazat që mua më shqetësojnë është faza kur njerëzit do të fillojnë të vuajnë nga çrregullimet obsesive, ankthit, nëse lajmërohet diçka tjetër jashtë këtij virusi, pasi këta vetëm janë të prirur me një traumë dhe kanë filluar të traumatizohen dhe të mos jenë stabil dhe nëse brenda kësaj kohe nëse nuk i menaxhojnë ndjenjat e tyre mundet të kenë çrregullime të tilla”, ka thënë psikologia.
Se duhet pasur kujdes dhe të mos krijohet panik, psikologia thotë se është shumë e rëndësishme, sepse e gjithë kjo mund të përcillet tek fëmijët.
“Këshilla ime është të respektohen rregullat e Institutit të Shëndetësisë Publike, duhet të rrimë në shtëpi. Kjo është primare dhe në raste paniku të përdorin teknikat e frymëmarrjes, të rrimë të qetë e të dëgjojmë muzikë, të mos krijojmë panik pasi në familje ka fëmijë dhe ata e ndjejnë këtë, ne duhet të mendojmë që diçka që ka filluar ka edhe fundin”.
Psikologia Nexhmie Beshiri sugjeron që qytetarët mos të mbingarkohen me informacione të shumta e statistika të shpeshta, ndërsa rekomandon që të lexohen libra, të dëgjohet muzikë, të shikohet ndonjë film apo edhe të bëhet art.
“Të merren me muzikë e të lexojnë libra, të shikojnë ndonjë film komedi që i bënë të qeshin dhe një prej terapive që është mjaftë aktuale në gjithë botën është arti apo vizatimi, ku përmes kësaj njeriu i largon mendimet negative. Njerëzit duhet të marrin informacione aq sa u nevojiten brenda 24 orëve, mjafton të shihen vetëm njëherë informacionet e mediave, qofshin të portaleve apo të tjera. Nuk ka nevojë për të tjera pasi kapaciteti ynë i trurit, nuk përballon informacione kaq bombastike dhe të vrazhda gjatë gjithë kohës. Këshilla ime është që të mos hyni në detaje e statistika të ndryshme të botës sepse janë persona kompentent e nuk kemi nevojë të stërngarkohemi me informata pasi tek truri ndikon edhe fizikisht”.
Duhet theksuar se duke e parë situatën aktuale, psikologia Nexhmie Beshiri ka ofruar këshilla falas për gjithë ata që kanë nevojë të bisedojnë rreth çdo shqetësimi që kanë këto ditë të izolimit në shtëpi./FaktePlus