PSG në rënie të lirë, kthehet 10 vite mbrapa
Parsi Saint-Germain, pas barazimit 2-2 në shtëpi kundër Strasbourg dhe humbjes së turpshme 5-1 në fushën e Lille, ka shpërdoruar edhe mundësinë e tretë për të siguruar matematikisht titullin në Ligue 1.
Kampionët në fuqi të Francës janë mundur 3-2 në fushën e Nante-s, ndeshje e vlefshme për javën e 28-të të kampionatit francez, por që ishte shtyrë për arsye sigurie.
Përgjegjës për këtë disfatë është edhe trajneri Thomas Tuchel, i cili, pavarësisht 8 mungesave për shkak dëmtimesh dhe skualifikimesh, ka vendosur të mos e grumbullojë Kylian Mbappe si ndëshkim për fjalët e thëna nga ylli i ekipit pas humbjes 5-1 me Lille (“Kemi luajtur si amatorë”).
Me një lojtar si Mbappe në fushën e lojës gjërat mund të kishin shkuar ndryshe për PSG-në, që e nisi takimin me një gol magjik të Dani Alves (19′), por që më pas u përmbys nga Diego Carlos (22′, 52′) dhe Majeed (44′). 20-vjeçari Guclu ka fiksuar shifrat në 3-2 në minutën e 89-të.
Kjo ka qenë ndeshja e dytë radhazi në Ligue 1 në të cilën Parisi ka pësuar të paktën 3 gola, gjë që nuk ndodhte që nga marsi i 2009-ës (kundër Marseille dhe Toulouse).
Gjithsesi, “Les Parisiens” mund të ngushëllohen me faktin se janë bërë skuadra e parë që shënon gol në 32 ndeshjet e para në një sezon të Ligue 1 me 20 skuadra.
“Match point-i” i radhës për skuadrën e Tuchel do të jetë të dielën kundër Monaco në shtëpi, një sfidë aspak e lehtë për t’u fituar, duke parë se skuadra e Jardim lufton për mbijetesë.