Pse u sulmuan autobusët në Prishtinë (VIDEO)
Ky autobus nuk doli nga garazhi gjatë ditës së premte për dallim nga autobusët e tjerë të cilët sot lëvizën lirshëm e bartën udhëtarë në rrugët e Prishtinës.
Kjo për shkak se autobusi duhej të riparohet.
E, deri te riparimi i tij ka ardhur pasi që i njëjti në orët e mbrëmshme është sulmuar nga disa persona me gurë për shkak të festës së Halloween.
Këtë akt kryeshefi ekzekutiv i Trafikut Urban në Prishtinë, Lulzim Rexhepaj e quan të pahijshëm.
Rexhepaj për FaktePlus, ka treguar edhe arsyen se përse në orët e mbrëmjes së natës së djeshme është ndaluar qarkullimi i autobusëve për 45 minuta.
“Fatkeqësisht është dashtë me ndërpre qarkullimin në ora 21:15 në mbrëmje për shkak që disa grupe të rinjve të papërgjegjshëm, nëse mund të themi edhe të paedukuar mirë kanë hudhur vezë dhe gurë në drejtim të autobusëve të Trafikut Urban. Me këtë rast një autobus është dëmtuar më shumë se ka xhama të thyer, ndërsa tek autobusët e tjerë kemi pasur nëse mund të themi dëmtime të lehta që nuk kanë ndiku në mosdaljen në qarkullim’, ka thënë ai.
Ai shtoi se të gjithë autobusët e Trafikut Urban kanë qenë të sulmuar.
“Të gjithë autobusët kanë qenë të sulmuar me vezë që vetëm kanë shkaktuar përlyerje dhe panik te qytetarët. Gjatë natës e kemi organizu menjëherë pastrimin e tyre dhe 50 janë në qarkullim, ndërsa vetëm një autobus është jashtë përdorimit për shkak të xhamave të thyer”, ka thënë Rexhepaj.
E, derisa ka folur për riparimin e autobusit të cilit i janë thyer xhamat, Rexhepaj ka treguar edhe kohën se kur saktësisht ky i fundit mund të del në qarkullim.
“Sot gjatë ditës sepse automekanikët janë duke punuar në pastrimin e pjesëve të xhamave të vjetra, dhe do të montohet xhami i ri, pra gjëtë ditës mendoj që në ndërrimin e dytë do të jetë i gatshëm për qarkullim”, ka thënë ai.
I pyetur se a ka pasur ankesa për 45 minuta sa autobusët nuk kanë qenë në qarkullim, Rexhepaj ka falënderuar qytetarët për mirëkuptim.
“Fatmirësisht nuk kemi pasur ankesa prej qytetarëve dhe njëkohësisht i falënderojmë për mirëkuptim”, ka thënë Rexhepaj.
Ndaj këtij sulmi dje kishte reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ai e kishte dënuar këtë akt duke kërkuar nga qytetarët që të mos dëmtohen autobusët./FaktePlus