Pse s’po bëhet pagesa shtesë për inspektorët komunal, kështu arsyetohet MF-ja
Drejtori Inspekcionit të Komunës së Prishtinës Adonis Tahiri është ankuar për mos kompensimin e inspektorëve të komunës nga Ministria e Financave.
Ai ka thënë se pavarësisht rrezikut dhe përballjes së inspektorëve me koronavirusin, kompensim për këta të fundit nuk është bërë.
Tahiri ka pohuar se po u bëhet padrejtësi përderisa shumë sektorë të tjera janë kompensuar nga buxheti i Kosovës.
Tutje Tahiri ka paralajmëruar se nëse nuk veprohet nga Institucionet, inspektorët komunal do të ndërprejnë kontrollimin ndaj masave.
“ Aksionet anti-Covid: Policia, inspektorët e nivelit qendror, inspektorët e komunave. Shtesat për rrezikshmëri nga Covidi: Policia, inspektorët e nivelit qendror, zjarrfikësit, mësimdhënësit, etj.. Që nga data 12 mars Ministria e Financave i ka listat e inspektorëve të secilës komunë, kinse për të “korrigjuar” këtë “gabim”. Por, asnjë hap përpara. Diskriminimi i inspektorëve tanë vazhdon. Ose veproni shpejt në këtë drejtim – ose dilni vet bëni roje, shqiptoni gjoba e mbyllni lokale! “, thuhet në reagimin e Drejtorit të Inspekcionit të Komunës së Prishtinës.
Për këtë Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka pyetur në Ministrinë e Financave për këtë problem, ku këta të fundit kanë pohuar se MF ka alokuar të gjitha mjetet përfshirë edhe subvencione tek të gjitha komunat.
Tutje nga MF theksojnë se këto procedura duhet të kryhen nga zyrtarët komunal.
“Ju njoftojmë se sipas legjislacionit në fuqi, të gjitha shpenzimet (përfshirë subvencionet) janë të deleguara (decentralizuara) te organizatat buxhetore, në rastin konkret të komuna. Komuna ka buxhetin e ndarë me ligj, dhe i është dhënë alokimi për të proceduar me shpenzimet nga subvencionet (pakot për bizneset), ndërsa i gjithë cikli i shpenzimit (nga zotimi deri në shpenzim/certifikim) zhvillohet në mënyrë të pavarur nga zyrtaret financiar të Komunës, të certifikuar paraprakisht nga Thesari”, thuhet në përgjigjen e MF-së.
Tutje nga MF kanë sqaruar se pagesat bëhen varësisht ecurisë së punës së stafit të komunës.
“Prandaj, për afatin se kur do të kryhen këto pagesa, varet nga ecuria e punës së stafit të Komunës, sipas procesit të kontrollit të brendshëm dhe hallkave të shpenzimit të organizatave buxhetore, ndërsa Thesari (MF) brenda kompetencave dhe fushëveprimit, do t`i procedoje transferet bankare për përfituesit në çdo kohë në baza ditore dhe më së largu brenda 24 orëve nga kur shpenzimi i tillë certifikohet nga komuna”, kanë thënë nga Ministria e Financave/FaktePlus