Pse PSD-ja ia ndërpreu fjalën Avdullah Hotit sot?
Teutë Rrusta nga PSD-ja ka treguar arsyet e veprimit të sotëm që ia ndalën fjalën kryeministrit Avdullah Hoti që po fliste për dialogun për ta ngritur çështjen e dhunës ndaj grave.
Ajo thotë se e shfrytëzuan paraqitjen publike të kryeministrit pasi kjo temë është me rëndësi të lartë dhe për më tepër duhet trajtuar me urgjencë.
Rrusta kërkoi që të ketë politika konkrete që ndalojnë dhunën në shoqëri, por përveç tyre edhe pozicionime të udhëheqësve shtetërorë.
“Nuk mjafton një deklaratë sepse duhet politika të caktuara, por duhet edhe pozicionim politik sa i përket kësaj çështje që pastaj të shndërrohet në një matematikë të caktuar që e ndryshon gjendjen në terren. Por, përderisa s’ka as deklaratë si mund ta presësh më pas ndryshimin e gjendjes në terren?”.
“Ka qenë aktivitet publik ku kemi pasë mundësinë ta takojmë kryeministrin dhe ky ka qenë aktiviteti i parë publik që kur e kemi ideuar projektin. Nuk ka të bëjë me organizatorët e aktivitetit, s’është e drejtuar ndaj tyre. Është aksion kundër dhunës ndaj grave dhe kundër kësaj qeverie, por është kritikë edhe e shoqërisë për mungesë apo normalizimin e dhunës në shoqëri”.
Ajo doli edhe kundër hierarkizimit të problemeve në shoqëri duke kërkuar që kjo temë të jetë më e barabartë në radhitjen e prioriteteve.
Rrusta në Info Magazine tha se në përmbajtjen e letrave të hedhura në drejtim të Hotit ishin shifrat e grave të vrara dhe të dhunuara.