Pse po shitet IPKO, deklarohet Telekom Slovenia
Operatori mobil “IPKO” i cili funksionon në Kosovë do të shitet.
Telekom Sllovenia ka nisur aktivitetet e saj për të shitur 100% të aksioneve në degën e saj të Kosovës.
Derisa zyra qëndrore e Telekom Sllovenia, konfirmon një gjë të tillë, zyrtarë të IPKO-s nuk e thonë asnjë fjalë për këtë.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka provuar që të marrë një përgjigje nga zyrtarët e IPKO-së, por që këta të fundit nuk kanë dhënë asnjë shpjegim. Ata kanë referuar që për këtë çështje të kontaktohet Telekom Sllovenia.
“Për çdo pyetje lidhur me këtë çështje, ju lutemi kontaktoni ekipin e marrëdhënieve me publikun ne adresën si ne vijim:…”, thuhet në përgjigjien e zyrtarëve të IPKO-së.
Në anën tjetër, nga zyra për komunikim nga Telekom Sllovenia, Katarina Prešeren, për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus kanë konfirmuar që tashmë kjo kompani ka vënë në shitje aksionet e saja në Kosovë.
Në përgjigjen e tyre thuhet se aksionet e IPKO-s do të shiten për 100 për qind.
“Ne mund të konfirmojmë se Telekom Slovenije që nga e premtja ka nisur aktivitetet për të shitur 100% të aksioneve në IPKO Telecommunications LLC”, ka thënë Prešeren duke mos dashur të japin më shumë informacione në lidhur me atë se cila është arsyeja e shitjes së këtyre aksioneve.
Ndërkaq kjo kompani të premten përmes faqes së saj zyrtare, ka publikuar vendimin për shitjen e aksioneve të IPKO-s.
“Vendimi është në përputhje me strategjinë e grupit Telekom Slovenije për periudhën 2019-2023, e cila gjithashtu përfshinë mundësinë e konsolidimit të mëtejshëm nëpërmjet zgjerimit ose disinvestimit në tregjet ku operon grupi” tha operatori i telekomit në një dosje në bursën e Lubjanës.
Telekomi i Sllovenisë u bë pronar i vetëm i Telefonisë mobile IPKO vitin e kaluar, pasi u pajtua të blejë pjesën e mbetur prej 6.89% të kompanisë që nuk e kishte tashmë.
IPKO Telecommunications LLC është ofruesi kryesor i lidhjeve me brez të gjerë dhe ofrues i dytë më i madh në Kosovë.
Ky operator kohëve të fundit ka pasur probleme të shumta me qasjen në internet dhe thirrjet telefonike /FaktePlus