Pse po heshtë Gjykata Kushtetuese – çfarë ndodhi me Ligjin e pagave
Prej gati katër muaj, respektivisht nga fillimi i muajit dhjetor të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese e ka në dorë dhe po e shqyrton Ligjin e pagave. Kushtetuesja pasi e mori në shqyrtim edhe e ka pezulluar ligjin në fjalë deri më 30 mars të këtij viti. Edhe pse ky afat ka kaluar dje, Gjykata Kushtetuese po vazhdon të heshtë dhe nuk ka dhënë një përgjigje se çfarë ndodhi me ligjin në fjalë.
2 shkurti i vitit 2019 ishte dita kur me shumicë votash pavarësisht kundërshtimeve të shumta në Kuvendin e Republikës së Kosovës u votua Ligji i ri për Paga, për herë të parë që nga paslufta.
E votimin e tij atëherë e ngutën edhe shfaqjet e pakënaqësive me greva kur patën hyrë punëtorët e arsimit, punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike.
Por, punonjësit nuk gëzuan pagat me rritje siç parashihej në ligj. Kjo pasi Ligji i pagave është pezulluar nga Kushtetuesja pas kërkesës nga Avokati i Popullit, i cili ka konstatuar shkelje në këtë ligj.
Kushtetuesja e pezulloi ligjin deri më 30 mars të këtij viti, por edhe pse ka kaluar kjo datë, deri më tani Kushtetuesja nuk ka treguar se çfarë vendimi ka marrë për ligjin.
Për këtë çështje Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka tentuar të merr një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese se kur merret vendimi ndonëse ka kaluar afati i caktuar. Mirëpo zyrtarët nga Kushtetuesja nuk kanë kthyer përgjigje.
Kështu Gjykata Kushtetuese e ka thyer vendimin e saj, duke mos dhënë një përgjigje deri më 30 mars për ligjin e pagave dhe i ka lënë në pritje mijëra punëtorë.
E ditë më parë zyrtarë nga Ministria e Financave kanë thënë se janë të gatsh࡙m që të zbatojë këtë ligj cili do qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Sa i përket Ligjit të Pagave sido që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai është vendim i plotfuqishëm dhe ne si Ministri e Financave dhe Transfereve do ta zbatojmë’, ka thënë për FaktePLus zëdhënësi i kësaj ministrie, Muharrem Shahini.
Ky ligj pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë pritej të ishte 239 euro, shkruan FaktePlus.
“Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij Ligji do të jetë dyqind e tridhjetë e nëntë (239) euro. Për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të Buxhetit”, thuhet në nenin 23 të Ligjit, i cili përcakton vlerën e koeficientit dhe fondet për shtesa.
Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, deri sa kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9.
Sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale.
Të njëjtën pagë prej 2,151 euro do ta ketë edhe kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese nga 2,950 euro përkatësisht 3,108 euro që janë paguar aktualisht.
Për sa i përket pagës së zëvendëskryeministrit, ai do të paguhet 2,031 euro nga 2,500 euro që është paguar deri më tani. Po ashtu, paga e një ministri sipas Ligjit për Pagat do të jetë 1,912 euro që do të jetë një zbritje page prej 88 euro.
Pagë të njëjtë do të merr edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kryeqytetit, kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave, Avokati i Popullit dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.
Ligji thotë se shefi i Kuvendit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryeprokurori dhe kryetari i Gjykatës Supreme do të paguhen edhe pesë vite pasi të largohen nga pozitat e tyre. Ata do të marrin 70 për qind të pagës së fundit, në institucionin ku kanë vepruar dhe veç kësaj ata do të përfitojnë edhe një asistent, vozitës dhe veturë zyrtare të cilën do të përdorin.
Pagë pas përfundimit të mandatit nga buxheti i shtetit do të marrin edhe deputetët.
“Deputeti pas përfundimit të mandatit të rregullt apo para kohe, i cili nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej një vit, në vlerë 70 për qind të pagës së fundit që e kanë marrë”, thuhet në Ligjin për Paga.
Ministrat dhe kryetarët e komunës do të marrin 70 për qind të pagës edhe pas përfundimit të mandatit.
Ndryshe Avokati i Popullit ishte ankuar pasi ka pranuar gjithsej 35 ankesa individuale nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe pasi ka vlerësuar se është në “interes të ankuesve, por edhe të publikut, që Gjykata të vlerësojë nëse Ligji i kontestuar prek interesat legjitime të këtyre ankuesve/FaktePlus