Pse PDK nuk doli e para?- flet për FaktePlus Flora Brovina
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për shumë vite qeverisi me shtetin e Kosovës. Por rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, bënë që në ulëset e opozitës në legjislaturën e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, të zënë vendin deputetët e PDK-së.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, PDK doli partia e tretë. 169 mijë e 211 qytetarë ia besuan votën e tyre sërish kësaj partie që udhëhiqet nga Kadri Veseli.
U komentua se populli dënoi PDK-në. Por ish-deputetja e PDK-së që qëndroi shumë gjatë në këtë parti, Flora Brovina, thotë se shkuarja e kësaj partie në opozitë nuk ka të bëjë me dënim, por thjesht me ndryshim.
Flora Brovina e kontaktuar nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus, tha se i beson votës së qytetarëve.
Ajo theksoi se PDK ka qenë gjatë në pushtet e që kur jesh gjatë, mund të pritet një rezultat si ky.
“Unë i besoj votës së qytetarëve. Kujtoj që PDK ka qenë gjatë dhe kështu ndodhë kur je gjatë dhe mund ta presësh që të kalosh në opozitë. Në mënyrë dinjitoze kryetari këtë e ka shpreh. Nuk mendoj që PDK është dënuar sepse nuk ka dalë keq”, tha Brovina për FaktePlus.
Brovina, shpreson që sa më shpejt të lidhen koalicionet dhe të formohet qeveria e re.
Por se çka ndikoi që PDK të dalë e treta parti në këto zgjedhje, Brovina nuk ka folur qartë, por që thotë se është koha e ndërrimit të gjeneratave e që në secilën parti po dëgjohet zëri i të rinjve.
“Kujtoj që ka pas një aktivitet shumë të mirë, struktura është ndërruar sado kudo. Ka pas aktivitet të rinjve dhe është koha edhe e ndërrimit të gjeneratave në Partinë Demokratike të Kosovës. Si po shihet jo vetëm në PDK po edhe në shoqëri zëri i të rinjve po dëgjohet më shumë”, ka thënë Brovina.
Kujtojmë që Brovina nuk ishte pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet 6 tetorit./FaktePlus/.