Pse nuk po publikohet vendimi i Gjykatës së Apelit për Agim Ademin?!
Për herë të fundit me 3 dhjetor të vitit 2019 është mbajtur seanca në Gjykatën e Apelit kundër Agim Ademit dhe Muharrem Ramës, të cilët paraprakisht Gjykata Themelore në Prishtinw i shpalli fajtor dhe i dënoj me burg efektiv. Në fakt, kreu i FFK-së është dënuar me 9 muaj burg efektiv, por që ende nuk po vuan dënimin pasi Apeli nuk ka marrë ndonjë vendim.
Në atë seancë mbrojtësit e të dënuarve Ademi e Rama kishin kërkuar lirimin e tyre nga akuza apo rigjykim të rastit, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë i pati propozuar gjykatës së shkallës së dytë që ndaj Ademit dhe Ramës të shqiptohen dënime edhe më të ashpra.
E prej asaj kohe, Apeli nuk ka publikuar vendimin për rastin e Agim Ademit dhe Muharrem Rames.
Mediat kishin raportuar se gjykatës të Apelit kishin marrë bileta falas nga Federata e Futbollit të Kosovës që udhëhiqet nga Agim Ademi.
Si duket këto bileta po ndikojnë në drejtësi dhe vendim të Gjykatës së Apelit, që rasti të kthehet ne rigjykim.
Madje dyshohet edhe për korrupsion të lartë, sepse kanë kaluar gati 3 muaj nga seanca e fundit dhe trupi gjykues në përbërje: Burim Ademi, Hava Haliti dhe Abdullah Ahmeti, ende nuk kanë bërë publik vendimin.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar pyetje në Gjykatën e Apelit dhe ka kërkuar të sqarohen vonesat për rastin në fjalë, por përgjigja ka qenë me tri-katër fjalë.
“Gjykata e Apelit është në procedurë të vendimmarrjes për këtë rast”, thuhet në përgjigje.
Kujtojmë se nga shkalla e parë e gjykimit, Gjykata Themelore e ka dënuar Agim Ademin me 9 muaj burg efektiv dhe Muharrem Ramën me 1 vit burg efektiv.
Kurse Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë që ndaj Ademit dhe Ramës të shqiptohen dënime edhe më të ashpra. Për një gjë të tillë, Prokuroria Themelore e ka marrë edhe mbështetjen e Prokurorisë së Apelit.
Kjo e fundit përmes një parashtrese drejtuar Gjykatës së Apelit, i ka propozuar kësaj të fundit që të aprovon ankesën e prokurorisë, kurse t’i refuzojë ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.
Përmes një përgjigje në ankesat e mbrojtësve, pala e dëmtuar në këtë rast, Dritëro Kadolli ka propozuar që ankesat e të akuzuarve të hudhen poshtë.
Avokati mbrojtës i Agim Ademit, avokati Besnik Berisha, dënimin e të mbrojturit të tij e ka lidhur me “luftën”, që tha se po bëhet për postin që e mban Ademi, atë të kryetarit të FFK-së.
Por vetë Ademi kishte deklaruar se vepra për të cilën akuzohet nuk kanë të bëjnë me futbollin, andaj edhe nuk kishte dhënë dorëheqje pas shpalljes së dënimit.
Por, duke e ditur se vendimi i Gjykatës së Apelit për konfirmim të dënimit të shkallës së parë apo rritje të këtij dënimi ia pamundëson Agim Ademit qëndrimin në krye të FFK-së, atëherë dyshohet se edhe ky përmes postit që mban është duke shpërblyer me bileta gjyqtarët e Apelit dhe kështu ka bërë përpjekje që të ndikojë në vendim i Gjykatës.
Burime të Fakte Plus tregoj në se edhe ambasadat e huaja, EULEX dhe OJQ janë duke monitoruar rastin, ngase pala e dëmtuar në këtë rast Dritoro Kadolli ka shfaqur dyshimin se mund të ndikohet në vendimmarrje të drejtësisë nga ana e Agim Ademit.
Ka dyshime se përmes pozicionit që mban Agim Ademi në futboll, po jep bileta falas për gjykatësit, por dyshimet janë edhe për dhurata tjera me qellim që vendimi i Gjykatës së Apelit të shtyhet deri sa ai të parashkruhet apo të rikthehet në shkallen e parë.
Sipas procedurës vendimi është dashur të publikohet 30 ditë pas seancës së Apelit, por një gjë e tillë siç e theksuan në këtë artikull nuk është bërë edhe pse tashmë kanë kaluar më shumë së 70 ditë.
Sistemi i ynë i drejtësisë në vazhdimësi është kritikuar se është i ndikuar dhe i korruptuar dhe se të akuzuarit përmes ryshfetit po blejnë pafajësinë e tyre.
Ditë më parë kishte një arrestim të një gjykatësi, i cili dyshohet se kishte marrë mito për të liruar një të akuzuar.
Agim Ademi akuzohet se ka kërcënuar për vdekje një person
Kujtojmë se kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi po përballet me gjyqin me akuzat për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit.
Ademi po akuzohet se së bashku me Muharrem Ramën e kanë kërcënuar për vdekje një person. E gjithë kjo sipas Prokurorisë u bë me qëllim ndryshimi të statusit të një ngastre toke.
Aktakuza përbëhet nga dy pika.
Në pikën një të aktakuzës Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli, në atë mënyrë që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMË X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.
Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMË X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”./FaktePlus