Pse nuk po jepen 170 eurot… a po dështon Kosova për ta rimëkëmbur ekonominë e dëmtuar?
Shpërthimi i pandemisë së koronavirusit në Kosovë i shkaktoi humbje të mëdha ekonomisë. Vendimet e Qeverisë për pezullim të aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike, të marra pak pas regjistrimit të rasteve të para me COVID-19, u përkthyen në humbje të mëdha të bizneseve, si me largime të shumta të punëtorëve nga puna, por edhe efekte tjera që e çuan ekonominë e vendit në një qorrsokak.
Kjo ndërkohë i detyroi ministritë që mbulojnë ekonominë atëbotë që të merrnin masa të menjëhershme në mbështetje të bizneseve, punëtorëve e familjeve skamnore në vend.
Në kuadër të masave që u morën në Pakon Emergjente Financiare, afër 41 milionë euro u mor vendim që të shpenzoheshin për paga të punëtorëve në sektorin privat, përfshirë mbulimin e pagave mujore prej 170 eurosh për muajt prill dhe maj, për punëtorët e kompanive që u prekën nga situata emergjente.
Mirëpo, edhe pse jemi në korrik dhe Qeveritë janë ndërruar, bizneset dhe punëtorët nuk i kanë marrë ende të gjitha të hollat. Përkundrazi, ato nuk janë kompensuar në tërësi as për muajin prill.
Pozitë e opozitë, fajtore për katrahurën në ekonomi
Safet Gerxhaliu, njohës i ekonomisë thotë se fakti që shtete tjera kanë miratuar deri në pesë pako ekonomike e në Kosovë ende as nuk janë ekzekutuar në tërësi 170 eurot për punëtorë, tregon më së miri mjerimin ekonomik në të cilin gjendet vendi.
“Ju e dini që viti 2020 i ka sfidat e veta. Kemi hy pa Qeveri, kemi hy pa buxhet, pa rezerva shtetërore e buxhetore dhe kur krejt kësaj i shtohet edhe fakti që kemi tkurrje të remitancave nga jashtë, e dëshmon më së miri se çfarë është sfida aktuale. Dhe derisa vendet e rajonit kanë bërë hapa të avancuar në mbështetje të sektorit privat me pakot 3, 4 e 5, Kosova edhe më tutje e ka të papërfunduar pakon e parë emergjente prej 170 euro dhe kjo e dëshmon më së miri mjerimin ekonomik në Kosovë”, thotë Gerxhaliu për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Ai shton se për ngjallje ekonomike, krahas mjeteve të Doganës e ATK-së, rol të madh luan edhe marrja e huave nga institucione kredibile financiare të huaja.
Për ish- kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, destruktiviteti i treguar nga partitë politike kur bëhet fjalë për ekonominë dhe hezitimi për t’i ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare e rishikuar buxhetin, është mjaft brengosës.
“Në rend të parë duhet të kuptohet që qoftë deputetët nga pozita apo opozita, duhet të jenë në interes të shtetit dhe funksion të tij e jo ndryshe dhe në rend të dytë, rishikimi i buxhetit dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për huadhënie dhe projekte duhet të jetë prioritet mbi prioritete. Në qoftë se këta deputetë nuk e kuptojnë sot seriozitetin e situatës në Kosovë atëherë lind pyetja çka duhet të ndodhë në Kosovë që vërtet të ngritet vetëdija, të zgjohen partitë nga kjo armiqësi dhe të reflektojnë se mbi interesa të shtetit nuk duhet të ketë interesa tjera”, shtoi Gerxhaliu.
Ndërsa për njohësin tjetër të çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadrijajn, çështja e ekzekutimit të mjeteve nga 170 euro ishte dashur të përfundohej në Qeverinë Kurti, e cila sipas tij, ia la si pataten e nxehtë përgjegjësinë Qeverisë së re.
“Vlerësoj që pagesën prej 170 eurosh është dashur ta procesojë qeveria e kaluar për faktin që me ua lehtësu jetën e qytetarëve në kohën e karantinës dhe njëherësh ka qenë vendim i Qeverisë Kurti, pra në këtë rast Qeveria Kurti vetëm ia la pataten e nxehtë kryeministrit aktual. Ish-Qeveria Kurti bëri shumë zhurmë për asgjë, por deshëm apo nuk deshëm qeveria aktuale duhet të gjej hapësirë për procesim të pagesave të mbetura, përndryshe do të ishte irrituese për qytetarët për faktin që qytetarët kanë planifikuar që të mbulojnë sado pak shpenzimet me ato pagesa”, tha Kadrijaj për FaktePlus.
10 % i kursimeve në Trustin Pensional – dyshime për keqpërdorime
Me ardhjen e LDK-së në krye të Qeverisë dhe me marrjen e dikasterit të Ministrisë së Financave nga ky subjekt politik, u përmend opsioni i tërheqjes së deri në 10 % të kursimeve në Trustin Pensional, në mënyrë që qytetarët ta përballojnë sado pak më lehtë këtë krizë.
“Ideja themelore ka qenë që të tërhiqen 10 %. Kjo nuk është shumë problematike për Trustin. E dini që Trusti ka investime. Por ajo mund t’i shesë obligacionet për një periudhë të shkrutë kohore. Krejt cka na duhet është një ndryshim i dy neneve që t’i lejojmë Trustit që të bëjë këtë”, kishte thënë ministrja Hykmete Bajrami në një emision televiziv.
Mustafë Kadrijaj konsideron që kjo iniciativë duhet përkrahur pasi sado pak do t’ia lehtësonte jetën qytetarëve, me shpresë që të mos ketë keqmenaxhim.
“Tani kur flasim, qeveria aktuale duke u përballur me gjendjen jo të mirë ekonomike ka bë një iniciativë duke ua mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 % të kursimeve nga trusti që kjo sado pak do ta lehtësonte jetën e qytetarëve pas pandemisë ku si iniciativë duhet përkrahur me shpresë që mos të ketë hapësirë për keqmenaxhim”, tha Kadrijaj për FaktePlus.
Kurse Safet Gerxhaliu vlerëson që duhet të bëhet debat e analizë ligjore për këtë çështje, si dhe të mos krijohen hapësira për tenderomani.
“Në rend të parë duhet të kuptohet që Qeveria duhet t’i hulumtojë të gjitha mundësitë që të minimizohen pasojat e krizës sociale dhe njëra nga opsionet që qarkullon në opinion është edhe kjo e 10 % të Trustit Pensional. Dua të besoj që duhet të ketë një dialog të mirëfilltë mes Qeverisë, Trustit dhe Bankës Qendrore. Duhet të analizohet fare mirë aspekti ligjor, por duhet të kemi kujdes në të ardhmen se në qoftë se tani do të veprojmë në këtë mënyrë, a do të jetë ky fond i trustit pensional një mundësi që do të keqpërdoret në të ardhmen për tenderomani dhe për projekte që do të përfitojnë vetëm grupe të caktuara. Në këtë drejtim duhet maturi, dialog dhe mbi të gjitha transparencë dhe sundim i rendit dhe i ligjit”, tha Gerxhaliu.
E sipas ministres aktuale të Financave, Hykemete Bajrami, është duke u punuar për një ligj horizontal i cili do të ndryshojë disa nene të ligjeve të caktuara, përfshirë Ligjin e Pensioneve.
Nëse kjo merr mbështetje nga deputetët, tërheqja e kursimeve mund të fillojë brenda një muaji. Ligji do të jetë valid deri më 2021 kurse më pas do të shfuqizohet. Në total bëhet fjalë për tërheqje të rreth 200 milionë eurove.
Qeveria u kërkon deputetëve votën – qytetarët kanë nevojë për ndihma
Kujtojmë që shuma e përgjithshme e Pakos Emergjente Fiskale të miratuar nga Qeveria Kurti kap shifrën e afro 180 milionë eurosh. Megjithatë ajo nuk ka mundur të zbatohet as gjysma shkaku i mosrishikimit të buxhetit dhe moskalimit të ligjeve përkatëse.
Ndryshe, edhe Qeveria Hoti ka publikuar masat e pakos së saj të rimëkëmbjes ekonomike. Rimëkëmbjen ekonomike kjo qeveri e ka ndër synimet kryesore në programin e saj.
“Lehtësimi i qasjes në financim, zvogëlimi i barrës tatimore, masat për mbështetje të punësimit, bujqësia, masat për stimulim të kërkesës agregate, mbështetja për ndërmarrje publike për operim të rregullt dhe investime kapitale të rëndësisë strategjike, rishikimi i buxhetit për 2020 dhe relaksimi i kufizimeve fiskale dhe i borxhit publik, masa mbështetëse për ekonomi nga sektori financiar, dhe mobilizimi për financimin e masave”, janë masat e pakos së Qeverisë Hoti.
Sipas Bankës Botërore, Kosova do të ketë rënie ekonomike deri në 4.5 % shkaku i pandemisë./FaktePlus