Pse nuk nisën qarkullimin autobusët qytet-qytet, kur rikthehen linjat e zakonshme
Në Kosovë tashmë ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit nga masat e izolimit, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19. Në këtë fazë ka nisur edhe qarkullimi i autobusëve urban në kryeqytet, si dhe me leje të veçantë do të qarkullojnë disa autobusë ndër-urban në Kosovë.
Mbyllja e detyrueshme e shumicës së aktiviteteve për shkak të rrezikut nga përhapja e Koronavirusit, solli probleme të shumta e nga më të ndryshmet për qytetarët e gjithë globit.
E një prej problemeve që u përballën edhe qytetarët e Kosovës, ishte ndalimi i qarkullimit të autobusëve urban dhe ndër-urban në Kosovë.
Mirëpo, këtij problemi dy muajsh tashmë ka nisur t’i gjendet zgjidhja. Në fakt, sipas vendimit të fundit që mori Ministria e Shëndetësisë, ka rinisur qarkullimi i autobusëve urban në Prishtinë, porse me rregulla të posaçme, duke kufizuar edhe numrin e personave që hipin në autobusë.
Kurse mbetet brengosës fakti që ende nuk është vendosur për fillimin e punës së mbi 500 kompanive të trafikut ndër-urban, i cili vlerësohet se ka pasur humbje shumë të mëdha pas dy muajve të ndërprerjes së plotë të punës.
Nga Shoqata e Transportit Rrugor kanë bërë me dije se transporti ndër-urban dhe ai periferik edhe sot me nisjen e fazës së dytë nuk ka filluar punën.
Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se ende është i paqartë vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për lejimin e qarkullimit të kësaj kategorie vetëm me leje të veçantë.
“Ende është e paqartë për punën e transportit ndër-urban sepse e kemi fjalën ‘leje e veçantë’. Bazuar në ligjin 04L179 neni 14,15, 16, 17, 18 , 19 dhe 25, nuk kemi të bëjmë me transport të rregullt, por me leje të veçantë”, ka thënë Kurtishaj.
E Kurtishaj ka sqaruar se çfarë përmban leja e veçantë e trafikut ndër-urban.
“Transporti i veçantë është transport i grupeve të veçanta duke përjashtuar transportin e udhëtarëve të rregullt, pra kryhet transporti vetëm i psh punëtorëve, studentëve, pra vetëm i grupeve të caktuara me leje për të qarkulluar prej një vendi në vendin tjetër. Kjo lëshohet në bazë të lejes së lëshuar nga ministria përkatëse”, ka thënë ai.
Nga Shoqata e Transportit Rrugor po ashtu kanë bërë me dije se përveç këtij problemi, kompanitë e transportit ndër-urban po ballafaqohen me humbje të mëdha gjatë kohës së izolimit, ndërsa tani po ballafaqohen edhe me mungesën e rendeve të udhëtimit, të cilat lëshohet e vazhdohen çdo 3 vite nga Ministria e Infrastrukturës.
Për këtë Kurtishaj thekson se kanë bërë kërkesë në ministrinë e caktuar por që ende nuk kanë ndonjë përgjigje.
Kurtishaj po ashtu thotë se kanë kërkuar subvencionimin e kompanive për kohën e humbjes së punës së tyre gjatë kohës së pandemisë.
“Ne kemi bërë kërkesë dhe po presim edhe furnizim me rendin e udhëtimit sepse asnjë kompani nuk ka rend të udhëtimit ku kemi bërë kërkesë për të vazhduar rend të udhëtimit. Para se të fillohet puna të vazhdohet rendi i udhëtimit, të lirohen kompanitë nga pagesat për të paguar disa taksa dhe në fund nëse nuk janë të mundshme nëse nuk kryhen subvencionimi i kompanive, atëherë protestat janë të pa shmangshme”, ka thënë Kurtishaj, duke shtuar se kompanitë e udhëtimit nuk i rekomandon të dalin në punë pa pasur leje të plotë nga ministria.
Kujtojmë se ndalimi i qarkullimit të autobusëve erdhi me arsyetimin se kështu do të ndikohet në parandalimin e përhapjes së Koronavirusit. Vendimi u mor nga niveli qendror, pra Qeveria e Kosovës dhe prej 14 marsit u reduktua qarkullimi i autobusëve dhe pak ditë më vonë u ndalua plotësisht.
Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ministritë e tjera ka hartuar planin për relaksimin e masave parandaluese ndaj koronavirusit të ndarë në 3 faza.
Aktualisht Kosova është në fazën e dytë që ka filluar sot dhe vazhdon deri në nisjen e fazës së tretë, e cila sipas planifikimeve hyn në fuqi më 2 qershor, raporton FaktePlus.