Pse Kosova nuk ka policë rezervë?
Nga fillet e para të kësaj organizate është përfolur formimi i njësisë rezeve të policisë. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar 20 vite, themelimi i policisë rezervë nuk është bërë. Ligji për Policinë e Kosovës e parasheh themelimin e saj. Në Policinë e Kosovës nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje. Kurse, njohës të sigurisë thonë se themelimi i policisë rezervë është i domosdoshëm. Policia e Kosovës aktualisht numëron gati 9 mijë pjesëtarë.
Ndonëse e parasheh edhe Ligji i Policisë, Policia Rezervë ka mbetur vetëm në letër. Ishte paraparë që të themelohet vite më parë, por gjerat shumë pak kanë lëvizura para.
Neni i 36, i Ligjit mbi Policinë e Kosovës, thekson se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë me aprovimin e ministrit, themelon policinë rezervë. Ky ligj po ashtu thekson se policia rezervë përbëhet nga vullnetarët të cilët nënshkruajnë kontratën me policinë që të jenë anëtarë rezervë.
“Anëtarët e policisë rezervë mund të angazhohen nga Drejtori i Përgjithshëm me aprovimin e ministrit. Menaxhimi operacionale i Policisë rezervë është e drejtë vetëm e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Zyrtarët e policisë rezervë mund të angazhohen në kombinim me zyrtarët e rregullt policorë në rrethana të jashtëzakonshme ose urgjente, siç janë: rastet emergjente publike të rëndësishme, reagimi emergjent ndaj sulmeve terroriste, çrregullimet ose trazirat e mëdha të qytetarëve, reagimet emergjente ndaj rrezikut të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera”, theksohet në ligjin e policisë në nenin e 36.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kërkuar nga Policia e Kosovës sqarime në lidhje me mos themelimin e kësaj organizate rezeve. Ani pse më shumë se dy javë kohë nga dërgimi i pyetjeve, PK-ja nuk ka kthyer përgjigje.
Në anën tjetër njohësi i sigurisë Avni Islami themelimin e policisë rezervë e sheh si shumë të domosdoshme dhe thotë se është momenti i duhur që kjo komponentë të themelohet mbi bazën e parimit të meritës.
Islami në një prononcim, thekson se Qeveria e re e Kosovës, do të duhej të shtynte përpara inicimin e themelimit të policisë rezervë.
Ai ndër të tjera ka vlerësuar se angazhimi i anëtarëve të policisë rezervë, bazohet mbi situatat emergjente në nivel vendi.
“Policia rezervë e Kosovës do të duhej të ishte e formuar, sepse kjo kërkohet edhe ligjërisht. Edhe vendet e tjera të botës e kanë të formuar këtë polici rezervë dhe se ajo shërben për raste emergjente në vend. Mendoj që ndoshta Qeveria e re e Kosovës do t’i shtyj përpara këto çështje sidomos këtë të policisë rezervë. Po ashtu strukturat e deritanishme të Policisë së Kosovës e kanë zhagitur procesin e themelimit të policisë rezervë kështu duke mos treguar kurrë arsye e mos themelimit”, është shprehur Islami.
Islami tutje thekson se edhe mosha e shtyrë e policisë së Kosovës do të ishte si arsye e themelimit të policisë rezervë. Sipas tij Policia e Kosovës është më e vjetra në rajon.
“Policia aktuale është pak e shtyrë në moshë por që kjo organizatë është në procedurat e pranimit të kadetëve të rinj, mungesë të tyre nuk kemi sepse bazuar në numrin e popullsisë, është i mjaftueshëm. Por mosha e policisë aktuale është shtyrë krahasuar më vendet e rajonit. Pra shtimi i kadetëve të rinj si dhe formimi i policisë rezervë, është i domosdoshëm”, thotë Islami.
Në anë tjetër njohësi i sigurisë Fadil Kajtazi për FaktePlus thekson se mos themelimi i kësaj organizate shihet si neglizhencë e qeverive të kaluara që nuk kanë arritur themelimin e saj.
Kajtazi për FaktePlus thotë se ndonëse Policia e Kosovës, gëzon kapacitetet më të mira se ato të rajonit, formimi i policisë rezervë dëshiron kosto të madhe ekonomike. Ai ndër të tjera thekson se shpenzimi i gabuar i buxhetit të shtetit ka shkuar në mënyrë të gabuar.
“Më tepër është neglizhencë e strukturave tona shtetërore edhe është një mungesë e dijes se çfarë nënkupton një komponent e tillë e sigurisë pra pjesa rezervë. Është e vërtetë që Policia e Kosovës ka kapacitetet e duhura të strukturës në krahasim me policitë e rajonit, mirëpo ne po jetojmë në një epokë ku siguria kërcënohet edhe formimi i policisë rezervë do të thotë shumë. Formimi i policisë rezervë, dëshiron një kosto të mbajtjes pasi që ata kërkojnë pajisje, trajnime stërvitje pra e ka koston e lartë ekonomike, por shumica e qeverive tona buxhetin rezervë e kanë shpenzuar për shkaqe të pa përgjegjësisë”, thotë Kajtazi.
Ai ndër të tjetra vlerëson se siguria në vend kërcënohet vazhdimit nga politikat e ndryshime e që sipas tij themelimi i policisë rezervë është i duhur. Kajtazi po ashtu thekson se reformat në sistemin e sigurisë do të ishin të mirëseardhura për vendin.
“Themelimi i kësaj policie është rëndësishme sidomos kur siguria në nivelin global po sfidohet dhe politikat populiste janë në modë, grupet e ndryshme, qoftë majtiste apo djathtiste janë në teren, është e rëndësishme që të ketë efektiva të që të merren me sfidat e tyre. Kemi qenë dëshmitar të ngjarjeve të marsit të 2004-tës që mos me pas qenë policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i situata do të përshkallëzohej ende më shumë. Pra kemi pasur mungesë të efektivëve, ende nuk ka kaluar asgjë sepse rrezikohemi gjithnjë. Pra edhe reformat e reja në sistemin e sigurisë do të ishin të duhura”, tha Kajtazi.
Mirëpo, tash 20 vjet pas përfundimit të luftës, Policia e Kosovës i numëron gati 9 mijë pjesëtarë. Saktësisht policia ka 8 mijë e 945 pjesëtarë.
Nga ky numër, në organizatën numër një të sigurisë, është e përfshirë edhe gjinia femërore. Ndonëse është numër i vogël, në Policinë e Kosovës, janë gjithsej 1 mijë e 339 pjesëtare femra.
Se Policia e Kosovës është e institucion multietnik, e dëshmon edhe përqindja e përfshirjes së tyre në këtë organizatë. Shifrat tregojnë së në Policinë e Kosovës janë mbi 15 për qind të komuniteteve joshqiptare.
Ndryshe kjo organizatë ka shënuar 20 vjetorin e themelimit të saj ku për nderë të kësaj dite janë organizuar disa aktivitete në shumë vende të Kosovës./FaktePlus/.