Pse Jeremy Corbyn do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme në Britani të Madhe
Përderisa qëndrojmë në Bashkimin Evropian, që besoj se do të ndodhë në një të ardhme të parashikueshme, Partia Konservatore ka pak gjasa t’i fitojë zgjedhjet. Në këtë rast, ka mundësi që Jeremy Corbyn të bëhet kryeministër. I kam përsëritur arsyet e dy hapave të parë të këtij argumenti edhe më parë, por argumenti i tretë duhet të testohet. Këtë javë e patëm një testë të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e Peterboroughs.
John Rentoul
Kandidati i Partisë Konservatore korri rezultat të keq, duke i humbur më shumë se gjysmën e votave të partisë në zgjedhjet e përgjithshme, kur për ulëse u bë garë e ngushtë kundër laburistëve. Partia e Brexitit e Nigel Farages mori rezultat të mirë, duke e pasqyruar dështimin e qeverisë për ta larguar Britaninë e Madhe nga Bashkimi Evropian. Edhe Partia Laburiste shënoi rezultate të dobëta, por jo aq të dobëta sa Partia Konservatore.
Për aq kohë sa Brexiti mbetet i papërfunduar, Partia e Brexitit do të marrë më së shumti votues të Partisë Konservatore. Sidoqoftë, besnikëria e një pjese të votuesve dhe obsesioni i votuesve të Farages vetëm pas një çështjeje do ta parandalojë zëvendësimin e plotë të konservatorëve nga Partia e Brexitit.
Kjo nënkupton që votat e atyre që e përkrahin largimin e vendit nga BE-ja do të ndahen, duke e bërë të vështirë për secilën parti që të fitojë ulëse sipas sistemit aktual. Edhe votat e përkrahësve të qëndrimit në Bashkimin Evropian do të ndahen, por laburistët do të arrijnë ta mbrojnë territorin e tyre më mirë se konservatorët.
Rezultati i zgjedhjeve në Peterborough është shembull më i mirë se zgjedhjet evropiane për zhvillimin e këtij procesi. Në zgjedhjet evropiane, Liberal-demokratët i tejkaluan laburistët për t’u bërë zëri kryesor i protestës kundër Brexitit.