Pse Grenell nuk u takua me Kadri Veselin e Ramush Haradinajn?
I dërguari i Posaçëm i Presidentit Amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, qëndroi dje e sot për vizitë në Prishtinë, ku u takua me liderët e partive më të mëdha në vend, por jo edhe me ata të PDK’së e AAK’së, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinajn.
Vizitën në Kosovë tha se e ka bërë më shumë për të diskutuar rreth zhvillimit ekonomik, konkretisht heqjes së taksës 100%, por edhe dialogut Kosovë-Serbi.
Emisari Grenell gjatë një darke me Presidentin Thaçi tha se synimi kryesor i aletatit tonë të madh, SHBA’së, është zhvillimi ekonomik në rajon.
“Duam të zhvillojmë ekonomikisht këtë rajon. Të rinjtë kanë nevojë për punë, kjo është politika e presidentit Trump. Ekonomia në SHBA po lulëzon, sepse kemi thënë se njerëzit duhet ta marrin pushtetin. Duhet të hapni punë e zhvillim ekonomik për njerëzit që e meritojnë atë. Njerëzit në Kosovë meritojnë punë e të ardhme të ndritshme. Ne do t’i nxisim qeveritë dhe liderët në Kosovë dhe në Serbi, e t’u themi: ‘shikoni njerëzit, nisni të hapni punë të reja”, tha ai.
Sa i përket koalicionit LDK-VV, Grenell tha se në Kosovë nuk ka ardhur për të pajtuar parti të ndryshme.
Përsë këtë herë Grenell nuk u takua me Kadri Veselin e Ramush Haradinajn?
Në një vizitë të bërë pak pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Grenell u takua me të gjithë përfaqësuesit e partive të mëdha në vend, duke përfshirë këtu edhe Kadri Veselin e PDK’së e Ramush Haradinajn e AAK’së.
Mirëpo, me këta të dy nuk u takua këtë herë.
Ndonëse ende nuk ka ndonjë arsye të qartë rreth kësaj, Grenell ka zgjedhur të takohet vetëm me Kryetarin e vendit, Hashim Thaçin, si dhe mandatarin për kryeministër, Albin Kurtin e partnerin e tij të mundshëm në koalicion, Isa Mustafën.
Ndërkaq, PDK në krye me Kadri Veselin ka deklaruar disa herë se nuk dëshiron negociata me asnjë parti dhe se do të qëndrojnë në opozitë, pasi që vota e popullit i ka vendosur aty.
Sa i përket AAK’së, kreu i saj Ramush Haradinaj disa herë ka theksuar se nuk duan partneritet me Albin Kurtin, pasi që ai sipas tyre është një mashtrues.