Pse femrat në Kosovë e tolerojnë dhunën në familje?
Rastet e dhunës në familje janë pothuajse pjesë e çdo raporti policor, dhe rëndom gruaja është viktima.
Mirëpo, arsyet që çojnë deri te dhuna në familje, sipas sociologëve, mund të jenë të ndryshme duke filluar nga motivet psikologjike të jashtme dhe ato të brendshme.
Sipas sociologut Ferdi Kamberi, kushtet ekonomike, mungesa e një pavarësisë ekonomike janë ndër faktorët e tolerimit të dhunës në familje.
“Në dioptrinë sociologjike, rastet e dhunës në familje mund të përfshijnë një sërë faktorësh të ndryshëm, të cilët burojnë nga motive psikologjike të jashtme dhe ato të brendshme. Ndaj, disa nga faktorët/shkaqet e dhunës në familje mund t’i nënvizojmë: mungesa e një komunikimi të mirëfilltë në mes të bashkëshortëve e cila për fat të keq tek ne shpeshherë mungon, pastaj tolerimi i dhunës nga ana e vet viktimave si rezultat i mungesës së një pavarësie ekonomike, sepse gratë në pjesën më të madhe të rasteve varen kryesisht nga burrat”, ka thënë Kamberi për FaktePlus.
Kamberi ka listuar edhe një varg faktorësh tjerë që ndikojnë në ushtrimin e dhunës ndaj gruas, siç janë faktorët socio-ekonomik, papunësia e lartë, e cila prodhon varfëri të lartë, e deri tek faktorët individualë si: përdorimi i alkoolit, drogës, stresi në punë dhe instrumentalizimi i atij stresi në shtëpi.
Po ashtu ndikimi i mediave është i konsiderueshëm në këtë sferë kur bëhet fjalë për shpërfaqjen e filmave të dhunshëm, të cilat kanë ndikim në psikikën e individit për të imituar dhe ushtruar dhunë në familje.
Pastaj stresi post-traumatik i cili zakonisht shpërfaqet tek ato vende që kanë pasur konflikt pas një periudhe 10-15 vjeçare, gjë që tek ne është goxha i lartë, megjithëse, siç ka pohuar Kamberi, shumë pak trajtohet.
Faktorë të tjerë sipas Kamberit janë edhe prezenca e armëve në duar të qytetarëve, periudha e tranzicionit e cila ka shkaktuar krizën e vlerave dhe kjo e fundit ka prodhuar krizë të identitetit, mentaliteti i cili akoma vazhdon që sidomos gruan ta shohë vetëm si objekt i shfrytëzimit seksual dhe jo autoritet i barabartë me mashkullin, si dhe faktorë të tjerë./FaktePlus/