PSD për takimin e Kurtit me Listën Serbe: Kurti është hipokrit
Partia Socialdemokrate ka reaguar për takimin që do të zhvillohet sot në mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me Listën Srpska.
Në një njoftim për media, PSD e ka quajtur Kurtin Kurti hipokrit.
Aty thuhet se “sot mësuam se ai po takohet me Listen Serbe. Ky subjekt për të dikur ishte “listë çetnike”. Kushdo që më heret e ka bërë këtë është quajtur “kolaboracionist”.
Njoftimi i plotë:
Mandatari për formimin e Qeverisë, drejt formimit të saj, sikur të ishte procedurë po shkel drejt gjurmëve të të gjithë paraardhësve të tij. Në këtë rrugëtim ai po e zbulon vetveten.
Në diskutimet për formimin e Qeverisë gjithë vëmendjen dhe kohën e kishte për ndarjen e pushtetit. Asgjë nuk dëgjuam për modelet e ndryshme të zhvillimit anipse koalicioni qeverisës pritet të përbëhet nga parti që thonë se i përkasin spektrit të ndryshëm ideologjik. Qëllimi e ka edhe mënyrën e vet. Kur diskutimi bëhet pazar për interesin vetanak, ai zhvendoset në Prapashticë, tek vendi i kryeministrit të kaluar, dikur i “argat i Serbisë”.
E kur pengesat bëhen më serioze, negociatave për pazar iu ndihmon presioni. I kujt tjetër do të jetë ky presion veçse i ambasadorëve, emisarëve të “imperializmit”. Para 3 ditësh imperializmi ia ktheu me monedhën e tij. Albin Kurti është një tiger prej letre thanë ata kur iu përgjigjen me refuzim përfshierjes së tyre në formimin e koalicionit. Çfarë kishte bërë Hashim Thaçi tjetër kur u shpërbë koalicioni VLAN veç presionit përmes ambasadave ndaj LDK- së.
Sot mësuam se ai po takohet me Listen Serbe. Ky subjekt për të dikur ishte “listë çetnike”. Kushdo që më heret e ka bërë këtë është quajtur “kolaboracionist”.
Kurti është hipokrit, por ai nuk është një hipokrit i zakonshëm. Gjykimi përmes standardeve të dyfishta është thelbi i profilit të tij ideologjik. Kur për veprimin që e bën vetë, për të tjerët rezervon epitete si “tradhëtar” apo “kolaboracionist”, kjo tregon se po mendon diçka të veçantë për veten tënde. Flet edhe për mënyrën se si e koncepton të vërtetën. Ajo nuk është pjesë e diskutimit, as mësim krijues nga përpjekjet. E trajtuar kësisoji, e vërteta është e lidhur ontologjikisht me subjektin. Ky pozicion vjen nga tradita bolshevike, traditë kjo që e ka njësuar shkencën dhe politikën. Është autoriteti i shkecës që na i tregon fazat e zhvillimit historik, kurse ne jemi zbatuesit e kësaj domosdoshmërie historike, drejt fundit. Kjo është arsyeja pse Kurti nuk skuqet kur zihet duke gënjyer. Për njerëzit e verbuar të tij, kjo gjë shprehet përmes manipulimit me temporalitetin. Kjo është veç taktikë, mbase strategji, por jo qëllimi./FaktePlus