PSD nuk tërhiqet, Haradinajt i mbesin vetëm edhe dy ditë
Fati i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, është në dorën e Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD). Kjo parti brenda dy dite do të jetë përcaktuese me votën e saj dhe do të tregojë nëse Haradinaj do të vazhdojë të qeverisë edhe me tutje apo jo.
Kjo për faktin se partia e Shpend Ahmetit, ka kushtëzuar kreun e ekzekutivit, që nëse dëshiron votën e PSD-së për Projektligjin për Buxhetin e vitit 2019, atëherë duhet t’i plotësojnë pesë kushte.
Deputeti i Partisë Socialdemokrate e Kosovës, Faton Topalli, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se presin nga kryeministri plotësimin e të gjitha kushteve, për ndryshe nuk do ta votojnë buxhetin.
“Kryeministri i Kosovës është zotuar publikisht se do t’i përmbush të gjitha kërkesat e PSD-së. Ne nuk kemi kërkuar ndonjë garancë tjetër, pasi që nëse kërkesat nuk plotësohen atëherë as buxheti nuk votohet”, ka thënë Topalli.
Deputeti Topalli ka shtuar se është duke u punuar për plotësimin e të gjitha kushteve të vëna nga PSD-ja.
“Unë besoj që Qeveria e Kosovës do t’i plotësoj kërkesat e shtruara prej nesh. Nga informacionet që kam unë e di që është punuar me intensitet të shtruar për t’i plotësuar kushtet për miratimin e buxhetit”, u shpreh Topalli.
I pyetur nëse do të lëshojnë pe për ndonjërën nga pushtetet, deputeti Topalli ka qenë i prerë se nuk lëshojnë pe.
“Buxheti votohet vetëm nëse plotësohen të gjitha kushtet, pa përjashtim”, deklaroi Topalli për FaktePlus.
Ligji për dialogun, shkarkimi i ministrit Nenad Rikalo, ligji për pagat, ligji për Qeverinë dhe hartimin e kodit pensional të Kosovës, janë kushtet që i ka vënë Qeverisë, partia e Shpend Ahmetit për ta votuar projektligjin për buxhetin e vitit 2019./Fakteplus