PSD me aksion, sjellin tri lavatriqe të mbushura me para tek Qeveria
Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion para ndërtesës së Qeverisë, me ç’rast kanë dërguar tri lavatriqe të mbushura me para, që simbolizojnë pastrimin e parave.
Zyrtari i kësaj partie, Zgjim Hyseni ka thënë se ky aktivitet e ka për qëllim paraqitjen figurative lidhur me raportimet se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.
“Ky aktivitet e ka për qëllim që me paraqit në mënyrë figurative çka po ndodh javën e fundit, domethënë aktivitetin e shpëlarjes së parave që po ndodhë në Republikën e Kosovës. Po bëhen një javë prej se ka plasur skandali me ambasadorin e Kosovës në Kroaci. Krejt pyesin, flasin vetëm institucionet dhe eprorët e institucioneve po heshtin. Ambasadori Martin Berishaj e ka hap një xhirollogari në Mal të Zi me vetëm veten e tij punëtor dhe hopa 600 mijë euro tërheqje. Paret në dorë e pastaj në strajcë. Prejardhja e pareve është Beogradi”, ka thënë Hyseni.
Hyseni tha se Berishaj ka marrë para nga Beogradi, dhe se sipas tij, vetëm mosdeklarimi i kompanive të Berishajt në Administratën Tatimore të Kosovës ka mjaftuar që ai të shkarkohet.
“Meqë Berishaj vazhdon të mbetet në detyrë, ata kanë të drejtë të besojnë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani janë të lidhur direkt me këtë punë”.
“Ne e dimë që kushdo që bënë tregti me Beogradin, pavarësisht se cila është kompania, është e pamundur që mos me ra në rrjetën monopol të ashtuquajturës mafi energjetike e Ballkanit. Këto kompani janë të lidhura me emra famëkeq”, ka thënë më tutje ai.
“Berishaj është i sanksionuar prej Malit të Zi, kompanisë së tij iu kanë bllokuar llogaritë për shkak të evazionit fiskal. Nuk i ka deklaruar kompanitë në ATK, vetëm kjo ka mjaftuar që ai të shkarkohet. Berishaj i paska katër nënshtetësi, ai del të jetë edhe ambasador, profesor, por në të njëjtën kohë edhe sekser. Kjo nuk shkon. Krejt kjo aferë nuk është e izoluar me emrin e personalitetin e një ambasadori. Dje u kuptua që udhëheqësit e KEK-ut bashkë me Berishajn kanë bërë negociata bashkë. Ata e pranuan vetë. Janë udhëheqësit e emëruar prej Kurtit. Nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar. Secila ditë që kalon dhe ambasadori Berishaj vazhdon me qenë në detyrë, ne kemi drejtë me besu që kryeministri dhe presidentja janë të lidhur direkt me këtë punë”, ka thënë Hyseni. /EO