Protestuesit nga Ballkonet kanë një kërkesë për LDK-në e VV-në
Disa organizatorë të protestave nga Ballkoni janë treguar të butë me Partine e Albin Kurtit dhe kanë parashtruar disa kërkesa në drejtim të Isa Mustafës.
Nga LDK kanë kërkuar heqjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë por s’e kanë kërkuar të njëjtën edhe nga Albin Kurti që të tërheq vendimin për shkarkimin e Agim Veliut ku edhe kishte nisur kriza politike.
Ky grup ka kërkuar vetëm përgjegjësi publike nga Kryeministri pa sqaruar se çka nënkupton kjo pasi Albin Kurti ka thënë se nuk tërhiqet prej vendimit të tij pasi ai nuk mbijeton por jeton fuqishëm.
Reagimi i plotë:
Gjeni bashkangjitur një deklaratë të Replikë rreth situatës së krijuar në vend dhe tekstin e organizimit të protestës.
Në ditën e katërt të Protestojmë n’ballkon, situata politike nuk është përmirësuar, kërkesat e mijërave qytetarëve për tre ditë radhazi nuk janë duke u përfillur nga skena politike. Klasa politike edhe pas arritjes të numrit në 31 të të infektuarve me COVID-19, si dhe viktimës së parë të shënuar sot, nuk po fokusohet në gjendjen emergjente shëndetësore të krijuar nga virusi, mirëpo po vazhdojnë ta thellojnë ndarjen dhe përçarjen mes tyre. Kryetari i LDK-së Isa Mustafa në vend se të tregoj maturi e kërkesë për takim me subjektin bashkëqeverisës për mobilizim mbarë shoqërorë, ai sot shfrytëzoi rrjetet sociale jo për kërkesë për mobilizm, e për minimizim të panikut, por për qerim hesapesh politike duke e thelluar edhe më tej ndarjen e skenës politike dhe duke rritur inatet partiake.
Poashtu, Replikë si nismëtare e organzimit Protestojmë n’ballkon kërkon distancim nga Lëvizja Vetëvendosje për përvetësimin e protestës duke bërë organizime paralele me ide dhe kohë të njejtë. Ky përvetësim i protestës është duke dhënë konfuzitet tek qytetarët në kohë kur të gjithë duhet të jemi të bashkuar që t’i mbajmë politikanët përgjegjës për situatën e krijuar në kohë pandemie. Nismat qytetare në demokraci të mirëfillta nuk uzurpohen nga partitë politike dhe për këtë arsye, Replikë distancohet nga çdo organizim tjetër që organizohet nga partitë politke.
Duke e parë se kriza politike vetëm po vazhdon të thellohet, Replikë po vazhdon edhe sonte me organizimin e protestimit n’ballkone nga ora 20:00 për 10 minuta për të kërkuar që fokusi të kthehet menjëherë në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve të Kosovës deri në tejkalimin e situatës së krijuar.
Më poshtë e gjeni edhe tekstin e eventit:
Në Kosovë numri i rasteve me virusin COVID-19 ka arritur në 31. Këto 31 raste janë 31 jetë njerëzish. Rreziku për të pasur më shumë njerëz të infektuar me virus është edhe më i madh në këto dy javët e ardhshme. Skena politike fokusin e vetëm duhet ta këtë mobilizimin për mbrojtjen e qytetarëve nga virusi COVID-19.
Lojërat për momentin e kanë vendin në shtëpi për ta larguar monotoninë e izolimit, e jo në Presidencë, Qeveri dhe Parlament.
Më 22 mars nga ora 20:00 po protestojmë për 10 minuta (5 minuta më shumë) për të kërkuar fokus nga skena politike vetëm në virusin COVID-19 deri në tejkalimin e situatës të shkaktuar nga pandemia dhe për të kërkuar plotësim të kërkesave tona të cilat janë të listuara më poshtë.
Kërkesat:
1. Tërheqjen e mocionit të mos-besimit të LDK-së deri në tejkalimin e situatës së krijuar
2. Përgjegjësi publike e Kryeministrit për shkaktimin e krizës në qeveri në kohë pandemie
3. Distancim të partive politike opozitare (PDK, AAK, Nisma dhe AKR) nga lufta e tyre e verbër për pushtet në kohë pandemie
4. Kërkim falje dhe përgjegjësi publike nga Presidenti për panikun e krijuar në Kosovë si pasojë e thirrjeve të tij të pa koordinuara mirë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
Arsyet:
1. LDK nuk mundet që në një kohë krize ta prish qeverinë për një person ose interesa partiake, duke u treguar plotësisht jo-racionale dhe duke i rrezikuar dhe futur ne panikë qytetarët për të ardhmen e vendit në një kohë kur fokusi i vetëm dhe kryesor do të duhej të ishte mbrojtja nga virusi COVID-19. Çështjet e tjera mund të presin deri në tejkalim të kësaj situate. E rëndësishme dhe parësore duhet të jetë mirëqenia dhe shëndeti i qytetarëve. Kjo situatë e krijuar është duke ndikuar që qytetarët gjatë kohës që po përballen me mbrojtjen nga virusi, t’iu zvoglohet besimi në institucione dhe të rritet paniku.
2. Përkundër faktit që të gjithë e dijmë se Agim Veliu është person që e vendos interesin partiak para interesit të përgjithshëm, Kryeministri nuk është dashur ta shkarkoj në këtë situatë të shkaktuar nga COVID-19, duke e ditur që shkakton krizë në qeveri dhe duke e njohur partnerin e koalicionit. Në fund të fundit, Veliu është pranuar nga Kurti si ministër edhe përkundër faktit se të gjithë i dijmë kapacitetet e tij. Shkarkimi i tij ka mundur të ndodhë pas tejkalimit të pandemisë duke mos shkaktuar krizë në qeveri gjatë kësaj situate.
3. Partitë opozitare nuk munden me shfrytëzu këtë situatë të krijuar nga partitë qeveritare për të bërë fushatë elektorale, përkundrazi një opozitë e mirëfilltë kërkon që ta largoj vendin nga kriza në një kohë krize. Partitë opozitare nga fillimi i shkurtit në vend që të kërkojnë seanca për llogaridhënie të qeverisë për mbrojtje nga COVID-19, kanë vazhduar duke thirrur seanca për të bërë fushata elektorale dhe duke mbajtur fjalime të kota dhe jo-racionale.
4. Presidenti i Kosovës nuk mund të dal në kohë krize në media dhe të propozoj gjendje të jashtëzakonshme pa u koordinuar mirë me Kryeministrin. Përmes asaj seance për media, qytetarët janë vendosur në panikë duke mos e ditur as saktësisht çka do të ndodhë. Tash, Presidenti deklaron se nuk kemi nevoj për gjendje të jashtëzakonshme. Kjo është përgjegjësi publike e Presidentit dhe duhet të kërkoj falje që i ka vendosur qytetarët në panikë në situatë krize përmes lojërave të tij politike.