Protesta të shumta ndaj liderëve të G20’tës në Romë
Teksa liderët e G20-ës diskutonin për çështje të rëndësishme, mijëra njerëz protestonin në zona të ndryshme të kryeqytetit italian. Ata kritikuan udhëheqësit për mungesën e veprimit në luftën ndaj ndryshimeve klimatike.
Disa të tjerë protestonin për humbjen e vendit të punës, pasi fabrika ku punonin ishte zhvendosur në një vend tjetër. Ndërsa një grup tjetër manifestoi në kërkim të shpërndarjes së barabartë të vaksinave për luftimin e Covid-19.
Gjithashtu pati edhe një protestë drejtuar Kinës. Liderëve të G20-ës iu kërkua që të bojkotojnë Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen në Pekin në muajin shkurt, për shkak të qasjes së Kinës ndaj Tibetit, myslimanëve ujgurë dhe Hong Kongut, raporton A2news.
Megjithatë protesta më e veçantë ishte një instalacion i vendosur pranë Koloseut, ku liderët ishin veshur si anëtarë të grupit Abba dhe në sfond ishte një këngë e tyre.
Organizatorët u bënë thirrje vendeve të pasura të respektojnë angazhimet e tyre për të siguruar 100 miliardë dollarë në vit për të mbështetur vendet në zhvillim që përballen me ndryshimet klimatike.