Protesta e serbëve: “Nuk e japim veriun, nuk e japim Trepçën”
Në veri të qytetit të Mitrovicës ka filluar një protestë e serbëve, të cilët po shprehin pakënaqësinë për shkak se institucionet e Kosovës e kanë miratuar dhe vënë në fuqi nenet e ligjit me të cilin bëhet organizimi i ndërmarrjes Trepça.
Protestuesit janë mbledhur tek memoriali i Car Lazarit në Mitrovicën e Veriut duke mbajtur flamuj serb, flamujt të Kombinatit Trepça, si dhe mbishkrime: “Nuk e japim veriun, nuk e japim Trepçën”, “Ne duam paqe”, “Serbi, ndihmë”, “Mbështetje presidentit Vuçiq”, “Stop akuzave të montuara”, “Stop persekutimit të serbëve”… etj.
Siç raportojnë mediet serbe, qytetarët nga komuniteti serb që po protestojnë janë të pakënaqur me njoftimin e regjistrimit të ndërmarrjes në Prishtinë, duke konsideruar se kjo është një prej masave që synojnë për të dëbuar serbët nga Kosova.
Para protestuesve siç është paralajmëruar, fjalim do të mbajë Drejtori i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicë, Millan Ivanoviq, zëvendëspresident i Listës Serbe Igor Simiq dhe përfaqësues të Kombinatit Trepça nga radhët e komunitetit serb.