Promovimi i librit “Mesjeta ime” të enjten në Prishtinë
Shkrimtari Ag Apolli ka njoftuar se të enjten do të bëhet promovimi i librit të tij “Mesjeta ime”.
Apolloni ka thënë se ngjarja do të zhvillohet në orën 11:00, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.
“Të enjten, në orën 11:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës (Prishtinë) mbahet promovimi i librit “Mesjeta ime” të Ag Apollonit. Jeni të mirëseardhur! “Artisti ka nevojë për maskë, sepse i duhet të transformohet në shumë trupa e shpirtra. Maska e artistit ua heq maskën të tjerëve.” (Ag Apolloni, “Mesjeta ime”), ka shkruar Apolloni në rrjetin social Facebook.
Ndryshe, titulli i librit i referohet moshës së autorit, sipas konceptit biblik, dhe mjedisit në të cilin jeton ai.
Duke e parë realitetin tonë socio-politik si një lloj mesjete të re, Apolloni i rikontekstualizon konceptet mesjetare nëpër kapitujt që mbajnë tituj latinisht: Obscura, Vulgus, Doctrina, Pelegrin, Allegoria, Persona, Schisma, Templarius, Inquisitio dhe Memento. Siç shihet nga titujt, këtu preken dukuri të aktualitetit, nga lindja deri te vdekja, nga familja deri te qeveria, nga inkuizicioni virtual deri te ekstremizmi fetar, nga fryma e vendit deri te forma e shoqërisë. Të gjitha këto jepen nëpërmjet një narracioni eseistik personal, prandaj edhe nëntitulli i librit është “confessiones”, çka tregon se autori, siç e thotë në parathënie, në këtë libër rrëfen ankthet e tij para lexuesit.
“Mesjeta ime” mund të cilësohet si autobiografi narrative-eseistike, ku ka shumë dëshpërim, shumë marrëzi, shumë maska dhe shumë pikëllim.