Prokuroria Speciale: Martin Berishaj u intervistua për shpëlarje parash dhe dy vepra të tjera
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dal me një njoftim në lidhje me intervistimin e ambasadorit Martin Berishaj, për të cilin kanë njoftuar se i njëjti ishte ftuar nga prokuroria.
Sipas njoftimit, intervistimi ndaj Berishajt u krye për veprat penale “Shpërlarje e parave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.”
“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.” – thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, Prokuroria Speciale në njoftim ka bërë të ditur se edhe më parë kishin ftuar Berishajn për intervistim por që i njëjti kishte kërkuar shtyrje të intervistimit.
“Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador.” – thuhet në përfundim të njoftimit.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, sot gjatë terë ditës është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Gazeta Nacionale ka raportuar se që nga ora 8:30 e mëngjesit Berishaj është paraqitur në prokuroria.
Pas intervistimit të Berishajt, kishte reaguar edhe Tomë Gashi, avokati i tij, ku kishte konfirmuar, i cili kishte konfirmuar se kishte përfunduar intervistimin në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Gashi kishte bërë me dije se deklarata e klientit të tij është konfidenciale dhe nuk mund të jep detaje.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar Berishaj ka qenë i gatshme edhe më herët të intervistohet.
“Te dashura gazetare, Martin Berishaj qysh me 27.01.2023 ka paraqit kerkese per te dhene deklarate sqaruese ne Prokurorine Speciale te Republikes se Kosoves lidhur me pretendimet qe kan dale ne media. Martini tashme ka dhene deklarate ne PSRK. Deklarata e tije eshte konfidenciale . Une per shkak te kesaj situate si avokat i Martinit nuk munde te ju them asgje per permbajtjen e kesaj deklarate. Shoke e shoqe ju uroj gezuar Pashket e vikend te mire.” – ka shkruar Gashi.
Emri i Martin Berishajt u bë i njohur në Kosovë, pas raportimit të mediave sllovene për tërheqjen e dyshimtë të një shume të madhe parash.
Vitin e kaluar, mediat sllovene shkruajtën për një skandal të madh financiar, ku ishte i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohej për shpëlarje parash, dukej që ishte përfshirë edhe ambasadori Berishaj.
Një televizion slloven, Planet TV, kishte raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Në raportimet e medies sllovene, Berishaj dyshohej se ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Në lidhje me këto akuza, ambasadori i Kosovës e kishte shkruar një status të gjatë në Facebook, ku kishte provuar që t’ju jepte përgjigje akuzave që i qëndrojnë mbi kokë, ndonëse shkrimi i tij vetëm se e kishte zgjeruar edhe më shumë mjegullnajën rreth rastit.
Sjellim ndër mend që Berishaj po hetohet edhe për raportim të rremë të pasurisë. Këtë hetim e kishte konfirmuar muaj më parë Agjencia Kundër Korrupsionit, duke theksuar se ka dorëzuar një kallëzim penal në prokurori.
Fillimin e hetimeve ndaj Berishajt për Nacionalen e kishte konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se rasti për të cilin keni parashtruar pyetje është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit”, theksohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.