Prokuroria për vrasjen në Podujevë: Dyshohet që ndodhi nga pakujdesia
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet në lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit në fshatin Pakashticë të Podujevës.
Rasti po hetohet si vrasje nga pakujdesia.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë se i dyshuari i arrestuar po ashtu është ndaluar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se me urdhër të prokurores nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar një person i dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të prokurores viktima është dërguar për obduksion, derisa janë duke u ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë çështje”, deklaroi Ulaj për Telegrafin.
Ndryshe, katër persona ishin të pranishëm në momentin që ndodhi vrasja gjatë të mërkurës në një zonë të thellë malore në Pakashticë të Podujevës.
Nga plaga me armë zjarri, M.K 30-vjeçar nga fshati Dumnicë i Podujevës ka mbetur i vdekur nga plaga e marrë nga pushka e gjuetisë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 16:00, kemi pranuar informatën për një rast të vrasjes që ka ndodhur në fshatin Pakashticë të Podujevës. Lidhur me këtë rast në vendngjarje, policia ka arrestuar një person të dyshuar, F.B mashkull 34 vjeç. Në vendngjarje janë sekuestruar dy armë të gjuetisë. Viktimë në këtë rast është M.K (mashkull), 30 vjeç, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, tha Ahmeti.
Vrasja në Podujevë, viktima dhe i dyshuari baxhanakë mes vete