Prokuroria nuk sheh vepër penale në “kërcënimin” e këshilltarit të Kurtit
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka pranuar një raport njoftues nga Policia e Kosovës-DHKR (Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda), lidhur me një postim në rrjetin social “Facebook”, të publikuar nga Shkëlzen Gashi, këshilltar i Kryeministrit në detyrë.
Pas analizimit të këtij rasti, Prokurori i Shtetit konsideron se nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale, prandaj, me autorizimin e prokurorit kompetent rasti është mbyllur.Këshilltari i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, kishte njoftuar më herët gjagë ditës se është ftuar nga forcat e rendit pas një postimi në Facebook.
“Sot, më 23 prill 2020, mora ftesë nga Policia e Kosovës që, në cilësinë e të dyshuarit, të paraqitem nesër në ora 10:00 në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda, për t’u marrë në pyetje në lidhje me rastin ‘kanosje’. Në pyetjen time se kënd e kam kanosur, më thanë se, përmes një postimi në Facebook kam bërë thirrje për rezistencë”, ka shkruar ai në Facebook.