Prokuroria: Djali 62-vjeçar dyshohet se vrau nënën e tij 83-vjeçare
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur sot se doras i 83-vjeçares në Ferizaj, dyshohet se është i biri i saj, 62-vjeçar.
Policia më herët njoftoi për një vrasje të rëndë.
I dyshuari, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot, në Ferizaj, një person dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00, në mëngjes, ku i dyshuari B. Ç., rreth 62 vjeç, dyshohet se në shtëpinë e tij në rrugën “Ejup Statovci”, në Ferizaj, ka privuar nga jeta nënën e tij, tani të ndjerën M. Ç, rreth moshës 83 vjecare. Në këtë mënyrë dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Detaje nga vrasja në Ferizaj, Policia tregon se viktimë ishte një grua
Kurse, përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se viktima është një 83-vjeçare me inicialet M.Ç, derisa ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar për këtë rast.
“Rreth orës 08:20, policia ka marrë informatën për një rast vrasje e rëndë në Ferizaj. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore si dhe ekipi mjekësor, ku pas ekzaminimit nga ana e mjekut është konfirmuar se viktima e rastit kishte ndërruar jetë. Viktima M.Ç. (Shtetase e Kosovës e moshës 83 vjeçare). Pas hetimeve fillestare,hetuesit policor kanë arestuar një person të dyshuar lidhur me kët rast ku i njejti është duke u intervistuar”, thuhet në komunikatën e Policisë drejtuar mediave.