Prokuroria: 21-vjeçari prishtinas pësoi sulm në tru nga rrahja e rëndë që ia bëri polici
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se e ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin R.A., zyrtar policor, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Në njoftimin për media, Prokuroria Themelore thotë se “R.A. dyshohet se më 05 prill 2020, e ka keqpërdorë detyrën e tij zyrtare si zyrtar policor, si dhe pasi që e ka ndaluar në një pikë kontrolli të dëmtuarin, ka ushtruar dhunë fizike duke e sulmuar fizikisht atë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, ku si pasojë i dëmtuari ka pësuar dëmtimeve serioze në kokë, lëndime këto nga të cilat i dëmtuari një ditë më vonë ka pësuar sulm në tru, duke humbur vetëdijen, ku edhe i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në Klinikën e Neurologjisë në QKUK”.
Tutje thuhet se Prokurori i Shtetit është duke e përcjellë me vëmendje gjendjen shëndetësore të të dëmtuarit, si dhe është në pritje të raportit të detajuar nga ana e stafit mjekësor.
Prokurori i shtetit gjatë afatit prej 24 orëve do të parashtrojë në Gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit.