Procedurat se si mund të shkarkohet Glauk Konjufca
Tashmë kur kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dy partitë fituese, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk po mund të merren vesh mes vete për arritjen e marrëveshjes për krijimin e një koalicioni bashkëqeverisës.
Oferta të shumta janë bërë si nga njëri tabor e po ashtu edhe nga tjetri, por që të dyja palët po vazhdojnë të këmbëngulin në pozicionet e tyre, çka ka bërë që Kosova ende të mbetet pa qeveri.
Por, deri sa marrëveshja po mban peng formimin e Qeverisë, kjo nuk ka ndodhur edhe me konstituimin e Kuvendit, shkruan FaktePlus
Më 26 dhjetor të vitit të kaluar, pavarësisht mosdakordimit të dy partive, ishte Lidhja Demokratike e Kosovës ajo e cila votoi pro zgjedhjes së Glauk Konjufcës, deputet i Vetëvendosjes, për kryetar të Kuvendit.
E, pavarësisht votimit pro, tashmë LDK-ja në ofertën e fundit që i ka bërë Vetëvendosjes po kërkon pikërisht pozitën e kryetarit të Kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit, e pas zgjedhjes së presidentit, kryetari i Kuvendit t’i takojë përsëri Vetëvendosjes, çka i bie që po kërkon shkarkimin e Konjufcës.
“1. LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës), thuhej në propozimin e LDK-së.
Kurse, Albin Kurti nuk dëshiron assesi ta sakrifikojë Glauk Konjufcën në emër të marrëveshjes për formimin e Qeverisë.
Në përgjigjen e fundit që Kurti, i ka kthyer LDK-së, ndaj ofertës së saj, Kurti thotë se LDK mund të tentojë të shkarkojë Glauk Konjufcën, por Vetëvendosje s’do t’i ndihmojë.
“Ju keni të drejtë të jeni penduar dhe të kërkoni nga Grupi Parlamentar i LDK-së që po ashtu të pendohet dhe ta ndërmarrë iniciativën ta shkarkojë Kryetarin e ri legjitim e demokratik të Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca. Kishte dhjetëra vota kundër z. Konjufca. Por, unë nuk mund t’ju ndihmoj në këtë rrugë”, thuhet në letrën e Kurtit, dërguar LDK-së.
Por si në të vërtetë mund të shkarkohet kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës Neni 67, paragrafi 5, kryetari i Kuvendit të Kosovës mund të shkarkohet vetëm me votën e shumicës prej 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Gjatë votimit për zgjedhjen e Konjufcës kryetar i Kuvendit, ky i fundit mori 75 vota pro, e në mesin e tyre edhe votat e LDK-së, kurse vetëm 27 ishin kundër dhe 6 abstenime./FaktePlus